Izraeli pritet në Tiranë, teksa do të bisedojë me drejtuesit e klubit për detajet dhe të nënshkruajë kontratën me Kukësin
Kukësi pritet të mos ndalet me kaq në merkato, pasi sot në zyrat e klubit verilindor pritet të mbërrijë mesfushori izraelit Siraj Naser. 26-vjeçari vjen nga skuadra e Bnei Sakhnin, aty ku ai sezonin e fundit është aktivizuar në 29 takime, 13 prej të cilave si titullar. Ndryshe nga sezonet e mëparshme, Naser nuk ka shënuar, siç bënte kur ishte pjesë e Hapoel Tel-Aviv, apo kur luante për Hapoel Ber-Shevën.
Për të pritshmëritë janë të larta dhe këtë e thotë edhe menaxheri i klubit të Kukësit, Naim Halili, i cili flet për merkaton e kampionëve, duke theksuar se nuk kanë qenë të prirur të bëjnë ndryshime të mëdha, por janë munduar të marrin lojtarët e duhur për ta bërë Kukësin më të fortë. “Merkato e Kukësit ende nuk është mbyllur. Jemi menduar të bëjmë një merkato të kujdesshme, me afrime të cilat synojnë rritjen e cilësisë. Sa i takon shortit, them se me impenjim maksimal mund kualifikohemi. Pritet të vijnë edhe disa lojtarë të tjerë, madje njëri mund të jetë lojtari më i mirë i huaj që ka ardhur në Superiore. Bëhet fjalë për një izraelit. Merkatoja është bërë duke u konsultuar me trajnerin Gjoka, ndërkohë që për sa i takon presidentit Gjici, për aq sa e njoh unë, ju them se ai nuk largohet nga Kukësi”, është shprehur Halili, i pyetur nëse numri një i klubit verilindor do të shihte pozicionin e tij në klub nëse do të zgjidhej deputet.