Laçi ka nisur dje përgatitjet dhe fillimisht është analizuar takimi me Skënderbeun në finalen e Superkupës së Shqipërisë. Më pas ekipi ka nisur normalisht stërvitjen nën urdhrat e trajnerit Artan Mërgjyshi. Fokusi është te ndeshja e së dielës me Kukësin në Elbasan.
Ditën e djeshme ka pasur një risi, pasi me grupin është bashkuar edhe qendërmbrojtësi Jon Mersinaj. I riu është marrë në huazim nga Lokomotiva e Zagrebit, klub që këtë verë nënshkroi për katër vite me lojtarin e formuar te Shkëndija e Tiranës.
Ndërkohë edhe mbrojtësi Sebastion Toro po e merr veten. Kiliani është stërvitur me grupin, pasi ditët e mëparshme kishte punuar veçmas. Mbetet për t’u parë nëse do të luajë në ndeshjen me Kukësin.
Afrimi i fundit i Laçit, Bojan Najdenov, dje nuk ishte në stërvitje. Ai ndodhej në Maqedoni dhe sot do vihet nën urdhrat e trajnerit Artan Mërgjyshi. Mesfushori duhet të zgjidhë çështjen e dokumentacionit me Esteghal, klub me të cilin do përballet në gjyq në FIFA. Gjithsesi lejekalimi pritet të lëshohet shumë shpejt nga FIFA.