“Na ra ritmi në fund, po luajmë shumë ndeshje në pak ditë”, trishtohet Martini: Tani e shoh 4-shen larg

Dinamo dhe Teuta kanë zhvilluar sot ndeshjen e prapambetur mes tyre në “Abissnet Superiore”. Dueli i luajtur në “Air Albania” ka përfunduar me rezultatin minimal 1-0 në favor të nëndetëses blu. Ndeshja ishte në baraspeshë 0-0 deri në minutën e 93-të, atëherë kur Denisoni gëzoi tifozët e pranishëm në stadium me një gol të çmendur që do e kishin zili edhe lojtarë me emër. Tre pik mjaft të vlefshme për Dinamon, që tashmë ka hyrë në “vallen” e titullit kampion.

Dinamovitët kanë kaluar Skënderbeun me pikë (42 të tilla) dhe i kanë rrëmbyer vendin e katërt në renditje. Një pozicion ky që e mban në garë për titullin, pasi 4 skuadrat e para në tabelën e klasifikimit do të përballen mes tyre për të përcaktuar fituesin e këtij sezoni të “Abissnet Superiore”-s. Më poshtë ndiqni intervistat e trajnerëve për emisioni “Skaner Superiore” në “MCN TV”.

Martini (Teuta): “Bëmë një pjesë të parë shumë të mirë. Në pjesën e dytë na ra ritmi. Të luash të dielën, të mërkurën, është shumë problem. Të dy qendrat e mbrojtjes në pjesën e parë luftuan fortë. Fituan çdo dy luftim. Lodhja bëri punën e vetë. Fati është pjesë e lojës. Më lë një shije të keqe. Kishim mundësinë të luanim për 4-shen, por tani e shoh pak larg. Megjithatë, kështu e ka futbolli. Ne nuk jemi një ekip që na falet të humbim penallti. Thyhemi moralisht. Në ato momente duhen lidera në ekip që të ngrenë moralin. Ajo që binte në sy ishte lodhja, sepse harxhuam shumë energji me Tiranën. Na ra gjendja fizike në fundin e ndeshjes”.

Mehmeti (Dinamo): “Në futboll nuk ka besëtytni. Ne kemi fituar edhe kur ka qenë presidenti në tribunë. Një ndeshje e tillë në këtë pikë të kampionatit, kur tensioni është në maksimum dhe të dyja skaudrat duan fitoren, mund të bjerë pak niveli i lojës. E dija që do ta kishim të vësthrië, sepse Teuta ka një mënyrë të veçantë në manovrën sulmuese. Kishte shumë dyluftime të forta. Mu duk si një ndeshje e futbollit anglez.

Në këtë pikë të kampionatit çdo rezultat pozitiv është i rëndësishëm. Megjithatë, fitorja është qershia mbi tortë dhe të jep më shumë qetësi. Jemi më të lumtur me fitoren. Unë nuk besoj te fati. Denisoni kishte besim te goditja e tij. E goditi dhe shkoi topi aty ku duhej.  Kjo ishte një ndeshje me shumë tension dhe nuk mund të dominosh gjatë gjithë kohës. Edhe Teuta vinte nga një moment i mirë. E kam thënë që në kampionat nuk ka shumë diferenca”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/