Besar Musolli luan prej 6 edicionesh tek Kukësi dhe është një nga futbollistë më të dashur për tifozerinë kuksiane. Mesfushori nga Podujeva është një nga shtyllat e ekipit, por njëkohësisht është dhe zëvendëskapiteni i skuadrës. Pak kohë më parë, ai vetë në një intervistë pati deklaruar se në përfundim të Kupave të Europës do të shohë se çdo të bëjë për të ardhmen.
Sigurisht që Musolli do të dëgjojë dhe ofertën që do t’i bëhet nga presidenti i Kukësit, Safet Gjici, por do të jetë i hapur dhe për të dëgjuar ofertat që do të trokasin në derën e tij. 29-vjeçari është lojtari i cili ka më shumë prezenca me fanellën e Kukësit, por për të ardhmen mbetet për t’u parë se çdo të ndodhë.
Në të njëjtën situatë me Musollin janë dhe kapiteni Ylli Shameti dhe mbrojtësit Albi Alla, Simo Rrumbullaku dhe Rustem Hoxha. Ndeshja e kthimit me Torpedon mund të jetë shumë vendimtare për të ardhmen e disa prej futbollistëve të Kukësit.