Besar Musolli ishte së bashku me trajnerin Armando Cungu në konferencën e zakonshme për shtyp para ndeshjes me Teutën. Zëvendëskapiteni i Kukësit ka folur për ndryshimet në skuadër, duke nisur që nga rikthimi i teknikut Armando Cungu dhe deri tek afrimet e shumta në merkaton e verës.
Mesfushori nga Podujeva ka folur dhe për mungesat që do të ketë skuadra për përballjen me durrsakët, si dhe pritshmëritë që ka për takimin me “djemtë e detit”.
RIKTHIMI I CUNGUT – “Kur kam ardhur për herë të parë këtu kam pasur trajnerin Cungun. Më ka mësuar hapat e parë në kampionatin shqiptar. Tani, pas 5 -6 vitesh takohemi sërish. U ndjeva mirë, pasi e njoh si person dhe jam i lumtur që po punojmë përsëri bashkë”.
KËRKESAT E PRESIDENTIT – “Presidenti kërkon plotësimin e objektivave dhe lojë të bukur. Çdo trajner ka kërkesat e veta. Me Cungun kishim probleme në fillim, por nuk ka munguar loja e bukur. Kemi krijuar shumë raste, sidomos ndeshjen e fundit me Tiranën”.
GRUPI – “Gjatë merkatos u afruan 15-16 lojtarë të rinj dhe fillimi ishte i vështirë. Nga java në javë po lidhemi më shumë dhe po vjen fytyra e re e Kukësit”.
NDRYSHIMI – “Ka dallim mes kësaj skuadre dhe asaj që ka dalë kampion, pasi tani jemi një ekip i ri, ndërsa atëherë ishte me emra të njohur. Problem nuk e shoh derisa të arrijmë të ambientohemi. Detyrat janë të njëjta. Pak problem kemi, por me kalimin e kohës çdo gjë shkon në vendin e tij. Tani nuk mund të flas me emra, por secili që luan ndihem mirë”.
MUNGESAT DHE RIKTHIMET – “Dihet se ndihet mungesa e Reginaldos sepse i njohim vlerat që ka. Presim Shametin dhe Rrumbullakun që të plotësohet grupi, por kjo nuk do të thotë se do t’i ndjejmë shumë mungesat e tyre, pasi secili që luan jep maksimumin. Me afrimin e Shkodrës u rikthye grupi plotësisht ashtu dhe me Ethemin”.
NDESHJA ME TEUTËN – “Teuta ka treguar se është ekip që ka vlera. E kemi parë ekipin këto kohë, por ne do të ikim të marrim maksimumin nga kjo ndeshje”.