Vladimir Prenga
Besar Musolli është rritur së bashku me Kukësin dhe është kthyer në emblemë të këtij klubi. Kosovari është pjesë e verilindorëve që prej 5 sezonesh dhe ka rinovuar edhe për edicionin e ri. Musolli ka përjetuar së bashku me ekipin verilindor sukseset dhe dështimet. Ka humbur finale kupe, ashtu siç ka ngritur edhe të 3 trofetë më të rëndësishëm në Shqipëri dhe ka medaljen e secilit prej tyre. Në një intervistë për “Sport Ekspres”, Besar Musolli flet për ndryshimet e fundit te skuadra e Kukësit dhe pritshmëritë për sezonin e ri.
– Besar, shumë largime dhe shumë afrime në skuadër, ky Kukës është më i fortë, apo më i dobët se sezonin e kaluar?
– Ndryshimet bëhen gjithmonë për mirë, duke ecur me këtë logjikë sigurisht që mendoj se jemi më të fortë. Me stërvitjen e madhe që po bëjmë do të jemi gati për ta përballur me sukses kampionatin.
– Kush nga lojtarët e afruar po spikat më shumë?
– Të gjithë kanë elementët e tyre dhe jam i sigurt se do të na shërbejnë. Nuk mund të bëj veçime, pasi do të ishte e padrejtë. Jemi një grup dhe do të vazhdojmë me këto moto, pasi më i rëndësishëm se individi është grupi.
– Atëherë e kthejmë, mungesën e kujt prej atyre që janë larguar do të vuani më shumë?
– Të gjithë që kanë qenë pjesë e Kukësit kanë qenë lojtarë me cilësi. Nuk besoj se do të vuajmë mungesën e ndonjërit prej tyre, pasi besoj se klubi ka ndërhyrë mirë në merkato për t’i zëvendësuar.
– Si po ecën puna me trajnerin e ri Milinkoviç? Një krahasim me Gjokën…
– Trajneri Milinkoviç dhe stafi i tij po punojnë mirë. Duken të përkushtuar dhe punëtorë. Besoj se do të arrijmë suksese me to. Nuk dua të futem në krahasime, pasi janë dy trajnerë të ndryshëm dhe secili ka specifikat e veta. Me Gjokën fituam 2 trofe, me Milinkoviçin shpresoj të fitojmë 3.
– Ju tremb konkurrenca në skuadër?
– Jo, nuk me tremb aspak. Mendoj se konkurrenca na bën mirë të gjithëve, pastaj kush të jetë më i zoti të luajë në formacion.
– Çfarë synimesh ka Kukësi për këtë sezon?
– Ruajtja e titullit kampion është synimi kryesor i skuadrës. Objektivi i dytë është fitimi i Kupës, ndërsa fillimisht duhet të bëjmë tonën Superkupën.