“Musolli do të rikthehet”: thirrja nga Kukësi, pasi i treguan derën prej dëmtimit

Mund të jenë protesta apo pakënaqësia e tifozëve. Ndoshta edhe një ndjenjë faji nga drejtuesit e Kukësit, që lejuan largimin e një prej ikonave të skuadrës dhe yllit që dha kontribut të jashtëzakonshëm në sukseset e viteve të fundit. Largimi i Besar Musollit, gjatë periudhës së rehabilitimit nga dëmtimi, i çuditi të gjithë. Nga verilindorët, tani vjen befasia e radhës.

Rrahman Hallaçi, një prej ikonave të Kukësit dhe tashmë në rolin e zv.trajnerit të skuadrës tha në emisionin “Fair Play”: “Musolli nuk është larguar përfundimisht nga Kukësi. Ai do të shkojë të rikuperohet në Kosovë dhe më pas, kur të jetë gati, mund të rikthehet në skuadër”.

“Presidenti i ka thënë që kur të jetë rikuperuar, derën e ka të hapur. Musollit i përfundon kontrata në fund të sezonit, por besoj se Kukësi do të jetë sërish zgjedhja e tij e parë dhe Besari do të jetë përsëri me ne. Ai është një prej lojtarëve më të vjetër në ekip dhe një prej elementëve më të rëndësishëm”.

“Kukësi është gjithmonë një skuadër ku investohet për të fituar titullin. Do të realizojmë edhe dy-tre afrime në merkaton e dimrit, për të kompletuar grupin dhe për të qenë konkurrues deri në fund. Menaxherët e klubit i kanë përgatitur goditjet, me të cilat do të ngjitemi në vendin dhe nivelin që pretendohet nga kjo skuadër”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *