Dy mungesa do të jenë të sigurta për Skënderbeun. Mungesa e parë është ajo e mbrojtësit Tefik Osmani. FSHF ka kthyer përgjigje negative dhe korçari duhet të qëndrojë të paktën edhe këtë ndeshje në tribunë.
Duke mos luajtur sot, Tefiku plotëson numrin 4-ër të ndeshjeve. Nëse do të jetë në ndeshjen e ardhshme ndaj Kamzës në fushë, duhet të paguajë plot 4 milion lekë për të shlyer pezullimin prej 8-të takimesh që i dha Disiplina në fundin e sezonit të kaluar. Mungesa e dytë është ajo e Enis Gavazajt, që nuk ia ka dalë të rikuperohet në kohë.
Risitë e formacionit – Skuadra do të rreshtohet në fushë me tre emra që priten të jenë risi. Formacioni nis me Shehin në portë dhe në prapavijë katërshja është e zakonshmja, me Vangjelin dhe Micin nga krahët dhe Radas e Jashanicën në qendër.
Në vend të Tefik Osmanit luan Donjet Shkodra, që sot debuton për herë të parë si titullar kundër ish-ekipit të tij. Në mesin e fushës, në vend të Gavazajt do të jetë me shumë mundësi Gjergji Muzaka, ndërkohë që Lilaj dhe Nimaga do e nisin nga minuta e parë. Një tjetër risi do të jetë Suad Sahiti, që pritet të zërë vendin e Liridon Latifit. Ali Soue do jetë i vetëm në sulm.
Formacioni i mundshëm (4-1-4-1)
Skënderbeu: Shehi – Vangjeli, Radas, Jashanica, Mici – Shkodra – Muzaka, Lilaj, Nimaga, Sahiti – Soue