Humbja ndaj Botevit u është faturuar futbollistëve. Lojtarët kanë “kundërsulmuar” me mungesën e takimeve në fazën përgatitore
Humbja ndaj Botevit nuk ka ndalur polemikat në skuadrën e kuqe. Në kampin e Partizanit për momentin ka rënë qetësia që “paralajmëron” stuhinë. Në fakt, humbja ka dhënë pasojat e para, pasi në administratë ka pasur largime, ndërsa edhe ekipi është prekur nga humbja me Botevin. Pesha kryesore e fajitu është adresuar lojtarëve, sigurisht larg deklaratave në medie, por nuk është e vështirë të kuptohet. Përformanca e dobët e ekipit ka lënë të pakënaqur të gjithë në kampin e kuq. Një detaj që nuk dihej dhe nuk ishte bërë publik, pas kthimit nga faza përgatitore lidhet me pakënaqësinë e futbollistëve me stafin teknik.
“FAJËSIMI” – Futbollistët e kuq nuk e kanë direkt me stafin e kuq, por burime brenda ekipit tregojnë për “Sport Ekspres” se ata kanë dalë të pakënaqur nga faza përgatitore në Ohër. Kjo nuk lidhet me programin stërvitor, por me mungesën e takimeve miqësore. Vetëm 90 minuta kundër Prishtinës nuk janë të mjaftueshme për të kapur ritmin e ndeshjeve. Lojtarët e kuq kanë pasur kritika për këtë pjesë ndaj stafit të tyre.
FUTBOLLISTËT – Pas ndeshjes së humbur me Botevin me rezultatin 1-3 në stadiumin “Selman Stërmasi” nuk kanë munguar edhe justifikimet në formë kritikash për stafin e kuq. Lojtarët e kuq kanë folur me njëri-tjetrin dhe mungesën e miqësoreve e kanë etiketuar si një ndër faktorët kryesorë që ka ndikuar në humbjen dhe paraqitjen e tyre ndaj bullgarëve. Mungesa e përballjeve ka bërë që ritmi i tyre të jetë më i ngathët dhe të jenë me disa sekonda me vonesë në ndërhyrjet e tyre.
MUNGESA E NDESHJEVE – Partizani kishte që nga 27 maji i 2017 pa një ndeshje të mirëfilltë. Në atë sfidë, të kuqtë luanin kundër Skënderbeut në transfertë dhe barazonin me rezultatin 2 me 2. Largimi i 4 lojtarëve të rinj e bëri të vështirë edhe afrimin e futbollistëve të rinj si Progni, apo edhe Sukaj, duke iu referuar faktit se nuk ka luajtur në sezonin që lamë pas. “Demat” nuk kishin rrjedhshmëri në lojën e tyre dhe kjo ndikoi edhe në rezultatin përfundimtar.