Kombëtarja e Shqipërisë luan në nëntor dy ndeshjet e fundit në “Euro 2020” për të përmbyllur një rrugëtim të shkurtër dhe emocionues në këtë kompeticion. Diku e pafatë e diku pameritë, kuqezinjtë treguan të paktën në ndeshjet e fundit se një grup mjaft premtues për të ardhmen e afërt po krijohet. Andora dhe Franca janë skuadrat e fundit në grup, teksa gjelave po u përgatitet një pritje europiane sa i përket komoditetit të fushës dhe stadiumit të ri. Sikundër Andora që do të luaj në “Elbasan Arena” ose “Loro Boriçi”.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka i ftuar në një intervistë për “ORA Tv” ka njoftuar se stadium është në fazën e fundit teksa tregon më tepër detaje nga ndeshjet që e presin Kombëtaren e Shqipërisë si dhe inagurimin e impiantit sportive. Por njëkohësisht është folur edhe për mungesën e dëshirës dhe mbështetjen e shtetit kundrejt futbollit.
“Çdo ditë është punuar me volum. Stadiumi do të hapte me Francën. Fillimisht me një ndeshje festë në përballjen e femrave. Do të jetë edhe presidenti i UEFA-s, por edhe ftuar të tjerë të veçantë. Të ndërtosh një impiant të ëndërruar prej vitesh, do të jetë e padrejtë që të mos kemi disa të ftuar nderi. Formula e ndërtimit dhe kosto jonë ka qenë fikse, 10 milionë euro plus edhe TVSH. Nuk duhej ta paguanim, por e paguam dhe duhet ta marrim mbrapsht. Në dijenin time kosto totale është diku te 75 milionë euro. Stadiumi matet me vendet për spektatorë. Për emrin e stadiumit ne jemi në proces. Nisur nga fakti që Federata e Futbollit nuk merr asnjë ndihmë nga shteti dhe po sigurojmë mirëmbajtjen e “Elbasan Arena”, atëherë ky stadiumi në Tiranë ka një kosto të madhe
Gjysma e fitimeve nga biletat në stadiumin e ri nuk shkojnë as 10 euro. Lekët e ardhura nga biletat nuk përmbushin as shpenzimet e ceremonisë së stadiumit. Sa i përket deklaratës së Dervishajt që bëri polemika, është marrë vetëm si fjalë. Ai është njeriu që kontribuon dhe punon më shumë. U mor vetëm si një fjalë në atë debat. Të gjithë duhet të na mirëkuptojnë që Federata e Futbollit ka zero të ardhura. Vetëm një lëvizje e ekipit kombëtar kushton 100 mijë euro, vetëm një lëvizje.
Unë uroj që qeveria para se të inagurojë stadiumin, të bëj disa ndryshime ligjore për sportistët që duhen. Marrëdhëniet e mia me kryeministrin janë korrekte. Ne nuk mund të fajësojmë Federatën e Serbisë për atë që ndodhi në Beograd, megjithëse kishin përgjegjësinë e tyre për organizimin. Por e vuajtën me pikët”, ka thënë Duka. /Sport Ekspres/