Dy javë më parë, Panuçi për “Sport Ekspres” do të pranonte negociatat me FSHF-në : Me presidentin jemi dakord mbi çdo gjë
“Po kam folur me presidentin Duka në lidhje me gjithçka. Tani po pres një përgjigje nga ana e tij. Me presidentin jemi dakord mbi çdo gjë dhe jam i bindur se mund të bëjmë një punë të mirë. Tani duhet që të vendosë, pasi mendoj se ka një tjetër trajner në garë”. Ishte data 3 korrik kur Kristian Panuçi për “Sport Ekspres” do të rrëfehej mbi tratativën e nisur me presidentin e federatës shqiptare të futbollit, Armand Duka.
Madje, ish mbrojtësi i Italisë do të theksonte edhe faktin se kuqezinjtë i kishte parë apo i njihte sadopak, do të befasonte me këtë deklaratë: Po, e njoh Shqipërinë! Më pëlqen dhe kombëtarja, përbërja. Mendoj se mund të bëhet një punë e mirë. Tani të presim, sepse siç e thashë, vendos presidenti”. Këto kishin qenë fjalët e Panuçit, i cili në një farë mënyre la hapur mundësinë për të drejtuar kuqezinjtë.
Karakteri – Por, për ata që nuk e njohin Panuçin në version trajner, ndoshta mund të bëjnë shumë pyetje, por fakti është që në përvojën e tij të shkurtër, Kristiani ka qenë gjithmonë i drejtpërdrejt, saqë pikërisht karakteri i veçantë e futi në konflikt me presidentin e Livornos, Spineli, me të cilin prishi raportin. Kështu ndodhi edhe te Ternana, ndërsa si ndihmës i Fabio Kapelos, një mësues jete për ish-romanistin dhe milanistin, që megjithatë e mbylli shpejt aventurën e tij në këtë kombëtare, pasi edhe Don Fabio u largua. Rroga të padhëna dhe premtime të pambajtura, motivet.
Stofa e kampionit – Megjithatë, stofa e Panuçit tashmë dihet. Profesionist në fushë, asnjëherë me polemika, përveç se si opionist te “Sky” , ai ka fituar me Milanin Champions League, teksa me U-21 e Italisë ka fituar dy herë Europianin. Listës së tij për trofe i shtohen edhe dy Superkupa me Milanin, por edhe tri tituj kampion. Ndërsa, me Realin janë dy tituj dhe një Superkupë Spanje. Me Romën dy Kupa të Italisë. Sakaq, në dhomën e trofeve edhe një Kupë Interkontinentale. Praktikisht, një cv e pasur e Panuçit, që tashmë ka rastin më të mirë të përcjellë suksesin dhe urinë e tij edhe të futbollistët kuqezi.