Kukësi i guximshëm, Emini e nis titullar

Kampionëve u duhet me patjetër që të shënojnë ndaj pritet që trajneri Gjoka të hedhë në fushë Eminin përkrah kroatit Pejiç. Sakrifikohet Zeqiri ndërsa Guri stabilizohet në krah

Jurgen Zela

Një ndeshje gjithçka për gjithçka, kështu konsiderohet në Kukës takimi e kthimit me Sherifin e Tiraspolit. Një humbje minimale, por mjaft e vështirë për t’u përmbysur, pasi rezultati 1-0 përveçse kushtëzon shënimin e golit, ndalon rreptësisht gabimet në prapavijë, sepse një gol i pësuar do e bënte një malore thuajse të pakalueshme rrugën drejt turit tjetër. Mes shumë problematikash jashtë fushës, Kukësi do të kërkojë përmbysjen për të mbyllur të gjitha “gropat”, pasi aventura europiane mund të konsiderohet një sukses edhe nëse në turin e ardhshëm do të vinte eliminimi, sepse do të ishte siguruar një vend në fazën “play-off” të Europa League-s.
Skuadra ka vijuar përgatitjet normalisht gjatë këtyre ditëve në kryeqytet, ku nga Peza është zhvendosur për dy ditë në kompleksin e Tiranës “Skënder Halili”, për të shfrytëzuar terrenin me bar natyral. Trajneri Gjoka dhe stafi teknik kanë punuar me intensitet dhe ndryshe nga takimi i parë, pritet që në fushë të shohim një Kukës më sulmues dhe agresiv.
FORMACIONI
Nuk do të ketë më dilema për trajnerin Gjoka, për 11 lojtarët që do të hedhë në fushën e lojës, pasi tekniku i Kukësit e ka ideuar skuadrën që do të synojë kualifikimin për në turin tjetër të Championsit. Porta natyrisht që është e paprekshme, me Koliçin i cili ishte njeriu i ndeshjes në takimin e parë. Mbrojtja po ashtu nuk pritet të ketë asnjë ndryshim, me Hallaçin dhe Rrumbullakun nga krahët e spanjollin Serran që do të jetë pranë Shametit. Në mesfushë, detyra për të thyer aksionet e kundërshtarit dhe ideuar daljet përpara të Kukësit i mbeten Musollit dhe Lenës. Në të majtë braziliani Kale është adaptuar mirë dhe do të zbresë nga minuta e parë dhe në “Elbasan Arena”. Bashkëkombësi i tij Karioka, edhe pse e ka lënë pas dëmtimin, nuk është stërvitur prej ditësh dhe do ta nisë ndeshjen nga bankina. Sulmuesit Guri do të improvizohet përsëri në të djathtë të mesfushës, ku në takimin e parë bëri mjaft mirë me inkursionet e tij, çka i ka dhënë besim stafit teknik. Për të shtuar forcat në sulm do të sakrifikohet Hair Zeqiri, i cili këtë ndeshje do të detyrohet ta nisë nga stoli edhe pse performaca e tij ishte mjaft e mirë për aq minuta sa luajti. E penalizon paksa dhe fakti se ende nuk është në formën e tij më të mirë, pasi vjen pas një periudhe relativisht të gjatë jashtë fushave të lojës. Vendin e tij do ta zërë tetovari Izair Emini, që do të jetë dhe risia e formacionit. Sulmuesi do të jetë pas “bomberit” Pejiç, duke ju rikthyer modulit që është luajtur gjatë gjithë sezonit. Me një 4-4-1-1. Një Kukës i guximshëm, që e ka kuptuar se nuk ka çfarë të humbë. Një gol i shpejtë do ta ndizte shumë sfidën, vetëm një gjë mbetet e sigurt se një Kukës më sulmues nuk e kemi parë ndonjëherë.
FORMACIONI I MUNDSHËM I KUKËSIT (4-4-1-1)
Koliçi – Hallaçi, Shameti, Serran, Rrumbullaku – Guri, Lena, Musolli, Kale – Emini – Pejiç

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online