Shqipëria po bëhet gati për ndeshjen me Turqinë, ndërkohë që në grupin H të kualifikueseve të Euro 2020 i duhet të përballet me ekipe si Franca, Islanda, Moldavia e Andorra. Shkëlqim Muça, trajneri i njohur, i cili ka luajtur edhe me kombëtaren, analizon rivalët e kuqezinjve në grup dhe komenton ngjarjet e fundit me Ermir Lenjanin dhe Thomas Strakoshën.
Në intervistën e dhënë për SportEkspres.com, Muça thekson se i duket i çuditshëm vendimi i Panuçit për portierin e Lacios. Në lidhje me kualifikimin në Europian, ai e sheh të vështirë diçka të tillë dhe konsideron si sukses renditjen në vendin e tretë. Gjithsesi ai nuk i konsideron zero shanset.
INTERVISTOI: AGRON KAJA
Si e shikoni situatën në Grupin H eliminator të Euro 2020, ku Kombëtarja është në prag të dy ndeshjeve të para?
-Janë ndeshjet e para dhe Shqipëria në grupin H i ka kundërshtarët shumë të fortë, të fortë e të mesëm. Rëndësi ka që ta nisim me këmbën e mbarë dhe të mos humbasim që në ndeshjen e parë.
Përgatitjet për dy sfidat e para eliminatore me Turqinë e Andorrën kanë nisur, por si i shikoni zgjedhjet e trajnerit?
-Të gjitha zgjedhjet që ka bërë Panuçi për këto dy ndeshje do të shikohen në fushën e lojës, por këta emra janë, nuk ka të tjerë. Rëndësi ka që të gjithë ata që do të luajnë të jenë në formë të mirë dhe të mos zhgënjejnë që në fillim.
A ka edhe futbollistë të tjerë që mund të ishin thirrur nga Panuçi për këto dy sfidat e para?
-Ua përmenda më sipër se këta janë emrat. Lenjani ka bërë zgjedhjen e tij për të mos qenë në Kombëtare me Panuçin trajner. Në këtë situatë duhet që të merremi me ndeshjen, pasi ka shumë rëndësi përgatitja sa më e mirë e skuadrës.
Trajneri Panuçi është treguar i ashpër me portierin Strakosha. A është kjo forma e duhur për të rritur cilësinë në skuadër?
-Mua më duket i çuditshëm vendimi i Panuçit për portierin Strakosha. Pse? Sepse ai ishte në ndeshje dhe normalisht duhej të pushonte një ditë, jo t’i hipte avionit menjëherë. Disiplina është disiplinë për të gjithë, por ky është një rast që duhej të kuptohej nga trajneri.
Sfida e parë luhet në Shkodër më 22 mars me Turqinë. A mund ta kalojmë sikurse në miqësoren e fundit?
-Çdo ndeshje e kaluar ka historinë e vet, ndërsa aktualiteti duhet të përshtatë skuadrën tonë me gjendjen e mundësitë reale që ka. Duke qenë një ndeshje e fortë me Turqinë, skuadra duhet të jetë e përgatitur së pari nga ana psikologjike, sepse është sfida e parë në Euro 2020.
I ka mundësitë kjo Kombëtare që ta përsëritë suksesin e arritur De Biazin si trajner?
-Nuk e mendoj atë sukses si me De Biazin, jam shumë skeptik. Unë mendoj se Kombëtarja jonë duhet të bëjë një paraqitje të mirë dhe vendi i 3-të për të do të jetë sukses. Duhet të jemi realistë për grupin, por edhe shpresat nuk duhet t’i humbasim.