Muça “me zemër në dorë”: Humbjet në derbi, fati ynë! Unë kurrë i kuq!

“Tirona është e para, vetëm të fitojmë”. Kjo është dëshira e Gentian Muçës, luftëtarit bardheblu. Dy vitet e fundit kanë qenë të vështira për të, pasi iu desh të përballej me problemet shëndetësore. Betejën e parë e kaloi me sukses. Besimi në Zot e ka ndihmuar goxha.

“Është e vërtetë, nuk kanë qenë të vite të lehta. Kanë qenë të vështira. Por duke pasur parasysh edhe natyrën time si besimtar, Zoti i madh më ka premtuar që pas vështirësive vjen lehtësimi. Dhe me të vërtetë kështu ka ndodhur. Nuk është se i kam harruar ato dy vite dhe shpresoj të më kenë bërë më të fortë”, tregon Muça, në një intervistë të dhënë për gazetarin Gjergji Stefa në Supersport.

Të kalosh situatën e Muçës, duhet shumë mbështetje. Kjo nuk i ka munguar, ndërkohë që thekson se kurrë nuk ka menduar të dorëzohet. “Me thënë të drejtën kam pasur shumë njerëz rreth e rrotull, të cilët më kanë mbështetur e më kanë përkrahur. Edhe thjesht biseda me ta më ka bërë ta humbas mendjen. Përveç pjesës së ekipit, më janë gjendur pranë edhe njerëz që s’ma ka shkuar kurrë mendja. Osmani e Lika më kanë mbështetur shumë. A kam thënë ndonjëherë nuk mundem më? Të them të drejtën nuk e kam menduar asnjëherë, përkundrazi. I kam dhënë vetes forcë”, rrëfen futbollisti i Tiranës.

Por çfarë është klubi bardheblu për të? Muça flet plot emocione: “Tirana nuk është për mua thjesht ekipi i futbollit, pasi unë fillimisht jam i lidhur me qytetin, me emrin e Tironës. Duke qenë se Zoti më ka dhënë talentin për ta përfaqësuar në anën sportive, jam munduar ta nderoj e ta respektoj thellësisht këtë fanellë”.

DERBI DHE LIDHJA ME TIFOZËT – Muça dikur e ndiqte Tiranën nga tribuna me Fanatics, tashmë është në fushë. Si lojtar vetëm njëherë i është gëzuar triumfit dhe kjo e vë në siklet atë.  “Është e vërtetë, njëherë e kam fituar derbin. Vërtetë shumë pyetje e sikletshme. Kemi qenë shumë pranë fitores, por ai ka qenë kismeti ynë: të vuajmë te kjo pjesë. E thashë, duhet pranuar dhe duhet punuar me këtë pjesë. Tifozeria e Tiranës, e tëra, përveç tifogrupeve, ka qenë shumë speciale ndër vite. Vazhdon të jetë dhe besoj se do të jetë akoma”.

Fanatics kanë dashur shumë që një njeri prej tyre edhe të luante në fushë për Tiranën: “Meraku i tifozëve ka qenë që të kishin dikë në fushën e lojës. Kështu që edhe për ata, pasi u realizua kjo gjë, gëzimi ishte dyfish që dikush nga fusha e lojës bënte bashkë ekipin dhe festonin të gjithë së bashku. Kështu që edhe nesër, apo pasnesër, nëse do të jem tek ajo tribunë, sigurisht që do të vij të festoj këtu (i referohet sektorit të ultrasve bardheblu)”.

Një tjetër temë që prek Muça është edhe përplasja e klubit me tifozët: “Problemi, që krijoi atë përçarjen e madhe ndërmjet tifozëve dhe klubit, ishte çështja e stadiumit. Aty u krijua krisja e madhe. Një kompetencë e tillë nuk ishte në dorën e askujt, por ashtu erdhën punët dhe ashtu u vendos: të luante Partizani në stadiumin tonë. Pavarësisht politikave që u bënë dhe u ndoqën, ato gjithmonë ishin në dëm të klubit tonë. Në kuptimin që edhe tifozët tanët janë aty, kështu që po nuk ishin ata të lumtur apo të kënaqur, normalisht që kjo reflektohet edhe te klubi”.”.

KALIMI TE PARTIZANI DHE EKUBAN – Muça është i prerë dhe përjashton mundësinë që një ditë të veshë fanellën e të kuqve: “Me gjithë respektin, ju e dini më mirë se kushdo se nuk do të ndodhë. Mund të thuash që ka ndodhur edhe me lojtarë të tjerë apo trajnerë, që fillimisht kanë qenë te Tirana dhe pastaj kanë shkuar te Partizani. Por me mua diçka e tillë nuk do të ndodhë”.

Mes të tjerash, Muça tregoi edhe sulmuesin që e ka vënë në vështirësi më së shumti dhe ai është një “ish” i Partizanit.  “Ekuban. Ishte, mos të themi shumë i fortë, por shumë i plotë. Nuk dije nga ta ruaje: kishte shpejtësinë, forcën dhe shpërthimin. Ishte vërtetë një sulmues i kompletuar”, deklaron Muça.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *