Moxhi: Po ndërtojmë një Juventus të vogël

Juventusi ka qenë gjithmonë një model për t’u ndjekur, në Itali dhe jashtë saj. Dhe për këtë Partizani i ka besuar konsulencës së Luçiano Moxhit, që, pavarësisht asaj çfarë ndodhi me të në futbollin italian para disa vitesh, jashtë Italisë vazhdojnë ta shohin si një “guru”. Për këtë arsye, presidenti i të kuqve, Gazmend Demi, vendosi ta afrojë si këshilltar dhe të ndjekë me përpikëri të gjitha orientimet e tij.

Kështu, nuk është aspak rastësi që në stolin e Partizanit është ulur tashmë një ish-juventin si Mark Juliano. Po ashtu, nuk është rastësi që është afruar edhe një lojtar italian 34-vjeçar si Xhovani La Kamera, apo edhe Edgar Çani, sulmuesi 28-vjeçar shqiptar i ardhur shumë vite më parë në Itali. Tani kthehet të jetë protagonist në atdhe, ku i kanë rezervuar një pritje si të një “top-player”-i. Por lojtarët nuk janë elementi i vetëm, të cilëve do t’u besohet për të rikthyer Partizanin e madh të dikurshëm fitues të 15 titujve, por që ka mbetur thatë sa u takon trofeve që nga viti 1993.

“Nuk jam një drejtues me fuqi vendimmarrëse, por një këshilltar i presidentit Demi, – shpjegon Moxhi. – Dhe si i tillë, i kam këshilluar presidentit Demi të krijojë ambientin për një “Juventus të vogël” në Shqipëri. Me Juventus kam parasysh të bëhet ajo që është bërë në të shkuarën në klub, ashtu si me Torinon dhe me Napolin: ndërtimin e një sektori të rinjsh, sepse një klub nuk mund të mbështetet vetëm tek blerjet, por edhe te shitjet”, – ka thënë mes të tjerash Moxhi në një deklaratë të lëshuar për Tirana Times dhe publikuar edhe në shtypin italian.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *