Moxhi dhe Partizani i ri: Trajner italian, për skuadrën kini besim tek unë!

Intervistë ekskluzive me drejtorin e përgjithshëm të Partizanit, që nga Italia flet për projektet: “Ma lini mua në dorë, pasi vlerësova skuadrën, tani e ndërtoj për të fituar trofe. Nga Europa u eliminuam për arsye përgatitjeje”

Eraldo Harlicaj

“Më thoni pak shpejt, sepse kam një Asamble të rëndësishme pas pak…”. Nga zëri i tij kuptohet mjaft qartë se është një person i angazhuar. Edhe pse shumë të tjerë në moshën e tij do të gëzonin pensionin dhe me paratë e fituara gjatë karrierës do të ishin ndoshta në ndonjë ishull të humbur mbi një jaht, Luçiano Moxhi preferon që të jetojë me futbollin, me pasionin e tij, dhe duke menduar për ringritjen e një klubi historik në Shqipëri, Partizanin. Përpara disa ditësh, në Tiranë, do të frynte qirinjtë e tortës së 80 vjetorit, ndërsa për mediet italiane do të rrëfente prapaskena të së shkuarës… E megjithatë, mbetet fjalëpak, por të duket sikur në atë që thotë, përcjell shumë optimizëm dhe qetësi, atë që tifozët e Partizanit kanë humbur pas eliminimit në Europë. E ndërsa lundrohet në det të hapur dhe me erën kundër (shumë kaos, nga lojtarët te dorëheqja e trajnerit Starova), “Big” Luçiano preferon që të mbajë timonin. Nga trajneri i ardhshëm, që s’do të jetë Milinkoviç, te merkato, vlerësimi i tij, eliminimi në Europë, por edhe çështja “Ekuban” dhe “Torasa”, duke kaluar më pas te trajneri i kombëtares së Shqipërisë, pasuesi i De Biazit, Panuçi. Për “Sport Ekspres”, për të parën herë që kur ka ardhur në Shqipëri, rrëfehet për një gazetë drejtori i Partizanit, ish-strategu i Juventusit të sukseseve të mëdha…

….

Përshëndetje drejtor, duke qenë se jemi në një periudhë pushimi dhe pas eliminimit nga Europa, tifozët duan të dinë më shumë, çfarë mund të na thoni për të ardhmen e Partizanit dhe si e keni menduar?

– Ajo që mund t’iu them për momentin është se jemi duke vlerësuar trajnerin dhe futbollistët.

Trajneri do të jetë shqiptar apo i huaj?

– Do të jetë një italian, kjo është e sigurt.

Një tjetër shqetësim i tifozerisë ka të bëjë me faktin se për momentin asgjë nuk po lëviz dhe pse është lënë të rinisë puna në fillim të gushtit?

– Këtë gjë ma lini mua në dorë… Pashë skuadrën, tre apo katër ndeshje, tani jam duke punuar për skuadrën dhe për trajnerin. Por, në momentin aktual nuk mund t’iu them asgjë me saktësi.

– Po për çfarë arsye?

– Sepse mua më pëlqen që të bëj gjërat mirë dhe jo duke u nxituar. Duke qenë se kemi një muaj e gjysmë kohë për të zgjedhur futbollistët dua të shoh se cilat janë situatat dhe rrethanat më të mira. Sa i përket trajnerit, do të zgjidhim gjithçka brenda një jave.

Duke iu kthyer tifozëve dhe shqetësimit të tyre, që vjen edhe si rrjedhojë e eliminimit në Europë, që ishte i papritur, në fund të fundit, mund t’i qetësoni se do të ketë një punë të madhe për një Partizan të madh?

– Unë ndodhem për këtë arsye këtu. Jam për të ndërtuar një ekip të mirë dhe të kemi rezultate.

Është e vërtetë që Partizani mund të bënte diçka më shumë për të mbajtur Ekubanin edhe një sezon, ose të paktën për kupat e Europës?

– Jo, ky është një budallallëk. Budallallëk sepse Ekuban ka shënuar 16 gola dhe askush s’do ta kishte hequr. Madje, do të ishim shumë të lumtur që të qëndronte me ne, por ishte e pamundur.

– Torasa, a është e vërtetë që u largua sepse nuk përfshihej në grupin e atyre lojtarëve që mund të ndihmonin Partizanin të fitonte trofe?

Për sa i përket Torasës, problemi qëndronte në faktin se si fantazist i skuadrës, shënoi vetëm dy gola dhe për një futbollist në atë rol janë shumë pak. Ndaj, mund të them që nuk më bindi.

Të kthehemi pak te eliminimi nga Europa League që në turin e parë. Një zhgënjim ky që nuk pritej. Çfarë ndodhi në të vërtetë, nga se erdhi ky eliminim?

– Në fakt, në syrin tim, nuk mendoj se e meritonim plotësisht këtë eliminim. Por, mbetet një fakt i rëndësishëm që njerëzit duhet të vlerësojnë. Skuadra ndaloi, pra i mbylli aktivitetet kur mbaroi kampionati. Bëri pushim 1 javë apo dhjetë ditë dhe më pas rinisi stërvitjet, duke pasur parasysh edhe faktin se deri në sfidën ndaj ekipit bullgar, zhvilloi vetëm një miqësore. U gjend që të përballej me një ekip, kampionati i të cilit kishte nisur prej katër ditësh. Sigurisht, hapi i kundërshtarëve ishte shumë më i madh dhe s’mund të ishe ndryshe. Ata ishin në qendër të një përgatitje, ndërsa Partizani kishte ndaluar, sepse kishte mbaruar kampionatin prej kohësh. S’ka asgjë më shumë se kaq. Duhet të përpiqemi që të ndërtojmë një ekip që do të bëjë më mirë dhe do të synojë të arrijë rezultate të rëndësishme dhe puna ime, e përsëris, do të jetë pikërisht kjo.

Panuçi është përzgjedhur si post De Biazi në stolin e Shqipërisë. Duke qenë se ju e njihni mirë, si ju duket ky vendim i federatës shqiptare?

– Panuçi, sigurisht, ka qenë një futbollist i mirë dhe mendoj se mund të bëjë po aq mirë si trajner i Shqipërisë. Është i përgatitur taktikisht dhe psikologjikisht. Nuk ka dyshime që do të japë një mbështetje të mirë kombëtares së Shqipërisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *