Ideja për të parë Masimo Moratin në krye të Federatës Italiane të Futbollit (FIGC) rrezikon të ketë zgjatur vetëm 24 orë. Sa më tepër që afron koha për mbylljen e afatit për paraqitjen e kandidaturës, aq më tepër rriten edhe shanset që në garë të jetë vetëm një emër: Gabriele Gravina.
Të enjten, Liga Pro zyrtarizoi me unanimitet të plotë kandidaturën e numrit një të saj, për një mbështetje që vlen plot 63 për qind të votave. Gjithashtu, Gravina mund të mbështetet edhe te votat e shoqatave të tjera, nga ajo e futbollistëve te ajo e trajnerëve.
Hezitimi i Moratit për të paraqitur kandidaturën e tij lidhej me faktin edhe se ish-presidenti i Interit nuk gëzonte as mbështetjen e plotë të Serisë A italiane. Në këtë mënyrë, gara me Gravinën do të niste me një disavantazh të madh, i cili dukej thuajse i pamundur që të rikuperohej. Morati nuk kandidoi pavarësisht mbështetjes së presidentit të Juventusit, Andrea Anjeli, ku u shpreh i befasuar nga “sponsorizimi”.
Graniva duket gjithmonë e më pranë emërimit, me kreun e Ligës Pro që pas zyrtarizimit si kandidat (ndoshta i vetëm në garë), foli edhe rreth emërimit të Bepe Marotës në strukturat e reja të Federatës Italiane të Futbollit. “Është e vërtetë që kam folur me Marotën. Në idetë e mia, një figurë e tillë do të ishte shumë e rëndësishme. Një menaxher i nivelit botëror si Marota do të ishte njeriu ideal”, tha kandidati për president.