Çelsi në verën e vitit të kaluar, më saktë në muajin korrik bëri një transferim të bujshëm. Blutë e Londrës transferuan nga Reali i Madridit, Alvaro Moratën për shumën e 66 milionë eurove, së bashku me bonuset. Në sezonin e tij të parë me londinezët spanjolli arriti të shënonte 11 gola, në një sezon jo fort të mirë për klubin e tij.
Sezoni i ri ka nisur mjaft mirë për blutë, të cilët tashmë drejtohen nga Mauricio Sarri. Në katër ndeshjet e para të Premier Ligë, Morata ka qenë titullar, por javët e fundit tekniku italian i Çelsit nuk është bindur nga sulmuesi. Oliver Zhiru duket se po bën më mire se sa 25-vjeçari dhe për momentin po fiton garën për majën e sulmit. Një rol të rëndësishëm në lidhje më këtë çështje duket se ka luajtur dhe Eden Hazard, i cili është shprehur më herët se ndihet më mirë me shtatlartin francez në sulm.
Ndërkohë duket se nuk është i lumtur për këtë fakt dhe nga mediat angleze bëhet me dije se Morata mund edhe të largohet nga Londra që në muajin janar, më Juventusin që qëndron në gatishmëri për sulmuesin. Kujtojmë Morata ka kaluar dy vite te bardhezinjtë, ku dhe u largua drejt Realit më pas. Gjithsesi deri në muajin janar mundtë ndryshojnë shumë gjëra, por për momentin Morata nuk po kalon një moment të mirë.