Trajneri i Milanit nuk i beson Spal-it: Ata bëjnë një futboll të rregullt dhe janë të rrezikshëm. Andre Silva më kujton Inzagin
Shpeshherë është taktikë, por Vinçenco Montela nuk i beson fare Spal-it, ndoshta edhe sepse stërvitet nga një njohje e vjetër e tij. Sempliçi ishte trajneri i të rinjve të Fiorentinës, kur “Aeroplani” stërviste skuadrën e parë. “Me të kam një mardhënie të shkëlqyer, vinte shpesh për të parë stërvitjet. Ai është një mik dhe është bukur ta rishosh në Serinë A. Spal-i është një skuadër që luan me rregull, kompaktësi dhe rrezikshmëri ofensive. Janë logjikë dhe të koordinuar, e dinë mirë këtë edhe Lacio dhe Interi. Do të jetë një ndeshje që mund të zgjidhet me lojën e ndonjë individi, një goditje nga jashtë zone, apo duke fituar duelet”.
SUSO DHE BONUÇI – Me siguri kjo nisje e sezonit ka qenë inkurajuese në shumë pikëpamje. Përtej ndeshjes së keqe ndaj Lacios, Montela po nis të shohë siguri të ndryshme që i ndan edhe me vetë drejtuesit e klubit. “David Han vjen gjithnjë në stadium, është njëri që transmeton qetësi të madhe. Jam i kënaqur dhe optimist, sepse skuadra po propozon diçka interesante. Pastaj Milani është i tëri për t’u zbuluar”. Në fund, ndonjë fjalë edhe për lojtarët e veçantë. “Kritikat ndaj Bonuçit? Transferimi i tij ka bërë shumë efekt dhe kjo ka rritur përgjegjësitë e tij. Por nëse mbrojtja është përmirësuar në krahasim me vitin e shkuar, merita është edhe e tij. Kush mund të luajë në vendin e tij në rast “tradhtie”? Kesie, që në të shkuarën e ka bërë, apo Romanjoli, ose Paleta. Suso? Është një lojtar i rëndësishëm dhe tani është më i qetë. Nga ajo që kam lexuar rinovimi është më pranë, në fushë mund të bëjë gjëra të jashtëzakonshme dhe me kohën do të mësohet të luajë edhe më brenda fushës. Edhe pse ndoshta nuk e ka kuptuar, këtë e ka bërë gjithnjë”.
DIBALA – Kasano thotë se Dibala i kujton Montelën, i cili përgjigjet: “E vërtetë, ngjajmë goxha si lojtarë. E kisha vënë re Dibalën që kur drejtoja Katanian, e kërkova, por e bleu Palermo për një shifër shumë të lartë”.