Vinçenco Montela, i cili drejtoi Milanin dhe Seviljen në sezonin e kaluar, por pa arritur t’i çojë deri në fund eksperiencat, është rikthyer të flasë për futbollin. Temat janë të zakonshmet, e ardhmja, Seria A, ish-ekipet e tij: Milan dhe Fiorentina, problemet e Italisë dhe Napoli i Ançelotit.
E ardhmja – “Po pres për të nisur punën me një ekip të ri. Për momentin po shijoj pushimet me familjen time dhe ndihem shumë i qetë. Nuk e kam problem për t’u rikthyer jashtë Italisë, ose në ndonjë klub italian. Vitin e kaluar me Seviljen morëm kënaqësi të mëdha në kupa, por nuk na eci mirë në kampionat. Në fund mbaroi keq, por do të isha gati të kthehesha të trajnoja jashtë Italisë.”
Kampionati – “Seria A është gjithmonë e vështirë. Niveli është rritur me ardhjen e Ronaldos, i cili ka rritur rivalitetin. Shumë skuadra kanë ndryshuar dhe duhet pak kohë, por niveli do të jetë më i lartë krahasuar me sezonin e kaluar.”
Milan – “Milanin vazhdoj e ndjek me melankoli dhe dashuri. U formua një ekip shumë i mirë, puna ime nuk ishte e plotë, por nuk ndjej keqardhje, ose pakënaqësi. Skuadra është përforcuar me një lojtar të madh si Higuain, të rinjtë po rriten dhe mund të përmirësohen akoma. Jam i çmendur prej vitesh për Higuain, edhe pse Manxhukiç e ka treguar që është i dobishëm për ekipin.
Nuk po flas për Ronaldon, i cili i përket një tjetër kategorie, por Higuain është ai, i cili më tërheq vëmendjen kur e shoh në televizor duke luajtur. Kutrone është një lojtar që mund të përmirësohet gjithmonë, ka një zemërim të pabesueshëm, por taktikisht nuk e komentoj dot nëse mund të luajë me Higuain.”
Fiorentina – “Në Firence kam kaluar tre vite të mrekullueshme, një qytet unik, por të shohim se çfarë do të ndodhë në të ardhmen.”
VAR – “VAR-i e ka përmirësuar futbollin dhe mbrojtësit janë më të kujdesshëm brenda zonës. Do të më pëlqente të kisha luajtur me VAR, sepse zemërimi rritet shumë kur pëson një episod kundër. Mendoj që VAR-i mund të përfshihet në Champions në faullet e rënda, në ofsajdët dhe në rastet kur topi ka kaluar vijën, ose jo.”
Kombëtarja e Italisë – “Të rinjtë nuk gjejnë hapësira, sepse trajnerëve u kërkohen menjëherë rezultate. E kuptoj Mançinin, por nëse nuk bëhet e detyrueshme të luajnë një numër minimal i lojtarëve të rinj italianë, çdo trajner do jetë i detyruar të fusë në lojë skuadrën që është gati për lojë.”
Napoli – “Ekipi po gjen identitetin e tij me Ançelotin, janë më shumë pragmatistë, por trofetë fitohen me pragmatizëm dhe jo me lojë të bukur.”