Mbrojtësi fierak tregon rrugën drejt Superiores dhe bën të qartë se të ardhmen e tij e sheh pikërisht te lagunarët, mjafton që drejtuesit të kërkojnë rinovimin
Arjan Likja
Arbër Mone, i ardhur te Lushnja në mesin e sezonit që lamë pas, padyshim është konsideruar si afrimi më cilësor në kampin verdhjeshil. Në çdo takim të luajtur, fieraku i krahut të majtë ka spikatur si një nga futbollistët më të mirë dhe më produktiv të formacionit të Banos. Në fitoren e fundit ndaj Bylisit, ku myzeqarët prenë biletën për në Superiore, si dhe në finalen me Kamzën, pa as më të voglin dyshim Arbër Mone ishte më i miri i Lushnjes. Për “Sport Ekspres”, mbrojtësi shpreh dëshirën për të qëndruar te Lushnja.
“Pasi mora shkëputjen nga Bylisi pas përfundimit të fazës së parë, me dëshirën time zgjodha Lushnjen për të vijuar karrierën. E përzgjodha këtë ekip, pasi lushnjarët kishin treguar se nuk kishin konkurrent për t’i ndalur në ngjitjen në Superiorja. Përzgjedhja ime rezultoi tepër e saktë, pasi Lushnja u tregoi edhe skeptikëve më fanatikë, se Lushnja ishte ekipi më i mirë i grupit B. Ne mund ta kishim mbyllur çështjen e Superiores shumë javë përpara përfundimit të kampionatit, por kemi hasur me konkurrencën e pandershme të rivalëve tanë. Gjithsesi ia dolëm, duke e mposhtur në të gjitha takimet direkte Bylisin. Gjatë karrierës time të gjatë në elitë dhe në Kategorinë e Parë, kjo gjysmë fazë aktivizimi me Lushnjen ngelet nga episodet më të bukura. Ka shumë elementë dhe faktorë që ndikuan në suksesin e Lushnjes, por unë do të veçoja dy prej tyre: E para, fryma mjaft bashkëpunuese dhe kompaktësia harmonike e grupit, ndërsa e dyta tifozëria e mrekullueshme e këtij ekipi, e cila e meriton si askush tjetër që të shohë ekipin e saj në Superiore. Pas një lodhje sfilitëse, tani po pushoj në regjim absolut. Të ardhmen time për sezonin tjetër e kam piketuar përsëri me Lushnjen. Një sezon i plotë në Superiore me Lushnjen do të ishte një gjë e bukur për këtë pjesë të fundit të karrierës time. Nëse drejtuesit e Lushnjes do të më telefonojnë, unë nuk do mendohem dy herë”, ka deklaruar Mone, duke u premtuar besnikëri lushnjarëve edhe për sezon e ardhshëm.