Drejtori sportiv i Romës, spanjolli i famshëm Monçi, duket se është i prerë për sukses ndërkombëtar, sepse me Seviljen regjistroi suksese të jashtëzakonshme dhe tashmë shpreson të mrekullojë botën me Romën, që në gjysmëfinalet e Champions League përballet me Liverpulin.
“Nuk kam qenë kurrë në Anfield si kundërshtar, por finalen e fundit që kam fituar me Seviljen ka qenë pikërisht ndaj Liverpulit. Do jetë një debutim për mua. Do takoj Salah, do përshëndetemi, por nuk është se kemi kaluar shumë kohë bashkë, ndaj nuk kemi ndonjë marrëdhënie të jashtëzakonshme”.
Roma në garë për dy objektiva: “Tifozët duan finalen Champions, por për ne është më e rëndësishme të dalim në 4 vendet e para në kampionat, për të shkuar në Champions. Janë dy gjëra krejt të ndryshme: kualifikimi në Champions sjell të ardhura edhe për sezonin e ardhshëm, ndryshe nga finalja në Champions, që vlen vetëm për këtë sezon”.
Për Romën: “Nuk është ekipi perfekt, nuk e them dot këtë, por gabohet kush thotë që Roma nuk është ekip i kompletuar. Po të mos ishte një skuadër e kompletuar, Roma nuk do mbërrinte kaq larg. Kam folur edhe me mikun tim Unai Emeri, më tha ‘ju nuk e kuptoni çfarë keni bërë realisht’, duke ju referuar kualifikimit ndaj Barcelonës”.
Baloteli te Roma? “Është një pyetje kurth. Gjykimi për Balotelin nuk bëhet vetëm në aspektin njerëzor, por edhe teknik. Nëse kërkojmë një zëvendës për Xhekon, duhet një lojtar i ngjashëm, ndërsa Baloteli është krejt ndryshe nga ai”.
Xheko te Çelsi? “Në janar duhej të shisnim dikë, për arsye bilanci. Erdhi një ofertë interesante për Xhekon, thuajse u largua, por në fund nuk u bë gjë, për faktin se asnjëra palë nuk ishte shumë e bindur”.