Kilian Mbape është fenomen, apo Monako është një skuadër fenomenale, ku të gjithë duken si superstarë? Do ta shohim së shpejti, por ndërkohë Monako jo vetëm që nuk po e vret shumë mendjen se ka humbur yllin e ri të futbollit botëror, por është edhe më e çmendur se sezonin e shkuar.
Sot Monako shpartalloi 6-1 Marsejën, si për t’i thënë “lamtumirë” Mbapesë. Para ndeshjes trajneri i Marsejës Rudia Garsia tha: “Nuk kemi pse të kemi frikë, më keq se sezonin e shkuar, ku pësuam 4 gola në çdo përballje me Monakon, zor se shkon”. Ka edhe më keq, Rudi Garsia mori 6 shpulla në principatë, një makth. Që në minutën e dytë Kamil Glik shënoi golin e avantazhit, i teti personal prej sezonit të shkuar, si asnjë mbrojtës në kampionatet e mëdhenj. Më pas u kthye një shfaqje me një aktor, sepse Falkao shënoi me 11-metërsh golin e dytë në minutën e 20-të dhe mbylli gjithçka në minutën e 34-t, me golin e tretë. Diakabi shënoi edhe golin e katërt pa mbaruar pjesa e parë.
Edhe në të dytën ishte spektakël i Monakos, por shënuan vetëm Sidibe e Fabinjo, ndërsa Kabela shënoi golin e nderit për marsejezët. PSG e Monako në krye: 4 fitore në 4 ndeshje, 14 gola të shënuar nga secila skuadër, por PSG ka pësuar dy gola më pak se Monako. Nëse vazhdon kështu, do të zbavitet sërish Franca dhe Europa.