Nata e mbrëmshme ishte e paharrueshme për Napolin, që arriti një fitore të madhe përballë Liverpulit me golin e Insinjes. Të gjithë ishin të lumtur pas ndeshjes, përveç Arkadiush Milik. Sulmuesi polak ka përjetuar momente frike dhe tmerri, pasi është grabitur kur po kthehej në shtëpi.
Dy persona me një motoçikletë të madhe kanë rrethuar 24-vjeçarin dhe e kanë detyruar të ndalet. Grabitësit i kanë drejtuar pistoletën në fytyrë dhe i kanë kërkuar t’i jepnin orën. Sulmuesi i Ançelotit nuk ka rezistuar, ka hequr “Rolex”-in me vlerë 7 mijë euro nga dora dhe ua ka dorëzuar grabitësve. Gjithçka ka ndodhur brenda një minute, ndërsa dy personat nuk kanë humbur kohë për t’u larguar me shpejtësi.
Sapo ka marrë veten nga tmerri i pësuar, Milik ka lajmëruar klubin për ngjarjen e ndodhur dhe ka denoncuar ngjarjen në komisariatin më të afërt të zonës. Policia napolitane ka hapur një hetim dhe po merret me zbardhjen e ngjarjes.
Kjo nuk është hera e parë që ndodhin ngjarje të tilla në qytetin e Napolit. Një situatë e ngjashme i ka ndodhur dhe Edison Kavanit dhe ky ishte një nga shkaqet që e detyruan sulmuesin uruguaian të largohet nga Napoli.