Në muajin janar të këtij viti, sulmuesi Aldo Mitraj u largua nga kampionati kosovar dhe iu bashkua skuadrës së Orikut në Kategorinë e Parë. Një gjysmë sezon i suksesshëm ky, në të cilin Mitraj shënoi 8 gola dhe ndjehet i kënaqur me këtë eksperiencë. Për SportEkspres.com, ai deklaron se e mbylli me mirëkuptim me këtë skuadër dhe mbetet në pritje të ofertave për sezonin e ri.
“Me Orikun u bashkova gjatë merkatos së janarit dhe në këto pesë muaj kalova një eksperiencë shumë të mirë dhe të suksesshme. Me mbylljen e kampionatit, unë e mbylla edhe bashkëpunimin me këtë skuadër. Jam larguar në mirëkuptim dhe me përshtypjet e një skuadre të mirëorganizuar, që mund të bëjë më shumë në sezonin tjetër”, ishte kjo deklarata e Mitrajt, i cili tashmë është lojtar i lirë.
Për sezonin e ri, 32 vjeçari deklaron se është në pritje të ofertave. “Kam menduar që gjatë muajit qershor të pushoj, pa lënë pas dore edhe stërvitjen individuale. Jam lojtar i lirë dhe jam në pritje të ofertave, për të cilat do bëj zgjedhjen e duhur. Në Superiore apo në Kategorinë e Parë, rëndësi do ketë skuadra dhe synimet që do ketë. Ka kohë për të vendosur”.
AGRON KAJA