Trajneri i Partizani Mark Juliano do të debutojë në krye të pankinës së Partizanit në një ndeshje miqësore. Kreu i pankinës së kuqe do të drejtojë 90-minutëshin e tij të parë me të kuqtë. Juliano do të përballet me një ekip të Serisë D, Vasteze. Të kuqtë do të udhëtojnë nga Kasha, ku janë të akomoduar, drejt qytetit të Vastos. Partizani do të luajë ndeshjen e parë miqësore në stadiumin e ekipit vendas “Aragona”. Stadiumi i ekipit të Vasteses ka një kapacitet prej 5.347 vendesh. Ndeshja do të luhet në orën 20:30.
FORMACIONI – Trajneri Mark Juliano nuk ua ka komunikuar futbollistëve formacionin edhe një ditë para ndeshjes. Numri një i pankinës në të gjitha stërvitjet ka përzier kartat dhe nuk ka dashur të informojë në lidhje me 11-shen që do ta nisë nga minuta e parë. Me shumë mundësi, trajneri edhe sot nuk do të hedhë në fushë 11-shen e tij më të mirë, por do të përziejë ekipin në mënyrë që t’i ketë lojtarët në tonus dhe t’i marrë më të mirën në stërvitje.
ÇANI – E sigurt është mungesa e Edgar Çanit në këtë miqësore të parë. Sulmuesi ka probleme fizike dhe vazhdon të mos stërvitet, ndaj nuk bëhet fjalë që të provohet, as në miqësoret e ardhshme. Me shumë gjasa, sulmuesi do të humbasë edhe ndeshjet e para të kampionatit.