Politikat e Skënderbeut kanë qenë të suksesshme në vitet e fundit. Ecuria pozitive në arenën ndërkombëtare, si dhe shitja e lojtarëve jashtë vendit kanë bërë që korçarët të arkëtonin shira të kënaqshme. Gjithsesi, dënimi 10-vjeçari i marrë nga UEFA i ka turbulluar ujërat në Korçë, çka u pasua me shumë lëvizje.
Edhe pse nga skuadra janë larguar disa lojtarë me peshë, sërish në merkato drejtuesit nuk janë kursyer, duke afruar lojtarë me perspektivë për të ardhmen.
Synimi do të jetë që të rriten sa më shumë elementë cilësore që në të ardhmen të shiten jashtë vendit, pasi drejtuesit besojnë se në nëntor edhe lufta me UEFA-n do të marrë fund dhe ata do të rikthehen në arenën ndërkombëtare.
Gjithsesi trajneri Orges Shehi po punon me grupin aktual dhe në pritje momentalisht është vetëm për Tefik Osmanin. Po ashtu nën urdhrat e teknikut Shehi janë vënë dhe disa lojtarë të rinj që do të provojnë që të tregojnë aftësitë e tyre në sytë e stafit teknik me synimin për të treguar vlerat e tyre. Mbetet për t’u parë nëse do të ketë ndonjë tjetër afrim në ditët e ardhme, nga lojtarët e rinj që janë bashkuar me skuadrën.
Në stërvitje ka dalë edhe një sulmues i ri, Markelo Varfi. 19-vjeçari i lindur në Greqi nuk ka ndonjë CV impresionuese, por do të jetë në provë këto ditë. Më parë i riu ka tentuar të bindë Kukësin, por vetëm pas një seance stërvitore u largua nga verilindorët.
Po ashtu Skënderbeu ka njoftuar se nesër skuadra do të luajë miqësoren e katërt ndaj ekipit të Trepça 89′. Ky takim do të luhet në Korçë në orën 17:00.