Mbape dhe Nejmar dikur ishin një dyshe që kuptoheshin mjaft mirë me njëri-tjetrin jo vetëm në fushën e lojës, por edhe jashtë saj. Në festat e shpeshta të brazilianit nuk mungonte asnjëherë Mbapeja, aq sa shumë opinionistë i kërkonin të distancohej për të shpëtuar karrierën e tij. Por këto ditë tashmë i përkasin vetëm të shkuarës. Gjërat kanë ndryshuar në Paris dhe miqësia e madhe tashmë është kthyer në një armiqësi.
Marrëdhënia mes Nejmarit dhe Mbapesë është krisur qysh në sezonin e shkuar. Sulmuesi francez rinovi kontratën në fund të muajit maj. Një kontratë e cila e kthente 23-vjeçarin në “Zot“ të PSG-së. Sigurisht që francezi ka shfrytëzuar pushtetin që i jep kontrata e re, duke i kërkuar klubit që të shesë Nejmarin.
Braziliani e ka zbuluar një fakt të tillë dhe tensionet mes tyre tashmë nuk mund të mohohen. Këtë e konfirmon gazetari francez, Molina, i cili shkruan në llogarinë e tij në rrjetet sociale: “Nuk ka një problem me penalltitë te PSG-ja. Problemi është te një lojtar që i kërkon drejtuesve të shesin një tjetër lojtar, duke besuar se ai nuk do të vihet në dijeni“.
Mbapeja dhe Nejmari treguar mbrëmjen e djeshme se gjërat nuk shkojnë siç duhet mes tyre. Francezi është ekzekutuesi i penalltive në skuadrën parisiene, por pas humbes së 11 metërshit të para, në penalltinë e dytë Nejmar vendos ta marrë vetë përsipër ekzekutimin, pavarësisht se Mbape kërkonte të drejtën e gjuajtjes së 11 metërshit./Halit Delibashi-Sport Ekspres/