Tanimë në Shqipëri do të kemi dhe kombëtare të specifikuar të minifutbollit, por dhe kampionat. E gjithçka ka ardhur nga krijimi i shoqatës së minifutbollit amator, që në gjykatë është regjistruar më 6 dhjetor 2017. E më pas në tetor 2017 është bërë pjesë e Federatës Evropiane të minifutbollit evropian.
Por si lindi kjo ide? Bytyçi tregon për Sport Ekspres: “Në dhjetor 2016 kanë nisur kontaktet e para me ndërkombëtarët e minifutbollit. E duke e parë që Shqipëria nuk ishte anëtare, atëherë nisëm rrugëtimin tonë. Në dy vjet kampionati i futbollit të sallës dhe i minifutbollit është bërë bashkë nga Federata Shqiptare e Futbollit. Por kjo e fundit nuk kishte mundësi të na ndihmonte më tutje në kushtet kur UEFA e FIFA njohin vetëm futbollin e sallës dhe të plazhit. Por minifutbollit është krejtësisht organizëm ndryshe dhe menjëherë na kanë pranuar anëtarë”. Dhe Bytyçi tregon se ku ndryshon futbolli i sallës me atë të minifutbollit.
“Nëse futbolli i sallës është i përcaktuar për t’u luajtur në parket, apo dhe në beton dhe vetëm pese më pesë, këtu mund të luhet gjashtë me gjashtë, shtatë me shtatë, tetë me tetë. Topi i futbollit të sallës është i rëndë, kurse këtu është top futbolli i lehtë. Këto janë ndryshimet”. E tashmë minifutbolli shqiptar është në prag të kampionatit të ri, që pritet të nisë më 10 prill.
“Ne kemi nisur fushatën që në fillim të marsit deri më 31 mars për të hapur regjistrimet. Më 10 prill do të nisim kampionatin dhe shpresojmë që deri më 14 qershor të kemi përfunduar. Më pas do të marrim pjesë në Kampionatin Evropian, i cili zhvillohet në Kiev nga 12 deri më 18 gusht, si dhe në Ligën e Kampioneve në Terme Catez të Sllovenisë 5 deri më 9 shtator. Shpresojmë që gjithçka të shkojë mirë”, përfundon Bytyçi.