Minifutbolli është praktikuar për vite më radhë në çdo shtet të planetit, por lëvizja për standardizimin e këtij sporti ka vetëm pak vite që ka filluar. Fatmirësisht edhe në Shqipëri disa njerëz po punojnë për ta vënë në jetë këtë sport.
Disa muaj më parë Federata e Minifutbollit Amator organizoi kampionatin e parë amator dhe më pas erdhi dhe përfaqësimi i parë i Shqipërisë në Europianin e zhvilluar në Kiev. Por, organizmi i këtij sporti organizon edhe një turne ndërkombëtar në nivel klubesh dhe këtë vit kanë marrë pjesë tri klubeve shqiptare. Bëhet fjalë për skuadrën kampione të kampionatit shqiptar, Prestige, nënkampionët Egnatia dhe skuadrën e OST-së.
Në turneun që zhvillohet në Terme Çatezh të Sllovenisë kanë marrë pjesë 64 ekipe nga gjithë Europa, që janë të ndarë në 14 grupe me nga katër skuadrat ku dy të parat kalojnë në fazën tjetër. Dy nga ekipet shqiptare, Prestige dhe Egnatia kanë marrë rezultate të kënaqshme në dy ndeshjet e para.
Prestige ka siguruar që ditën e parë kalimin në fazën me eliminim direkt falë fitoreve me rezultatin 7-0 dhe 3-1, ndërsa Egnatia ka marrë dy barazime (Një prej tyre ndaj kampionëve në fuqi të Serbisë), por me një fitore ditën e nesërme ndaj skuadrës më të dobët të grupit, rrogozhinasit mund të kalojnë në fazën tjetër. OST nuk ka më se çfarë të shpresojë pasi është 0 pikë pas 2 ndeshjesh.