Trajneri i Kukësit Mlladen Milinkoviç, i gëzohet fitores në Laç, pa i kushtuar shumë rëndësi lojës, apo vuajtjeje ndaj një Laçi që mund të shënonte disa gola, me pak fat e saktësi.
“Deshëm të mbanim rezultatin e pastër, pa pësuar gol, si dhe të shënonim të paktën një herë. Nëse nuk pësojmë gol, është e sigurt që do shënojmë. Dëshironim t’i linim hapësirë kundërshtarit për ta goditur në kundërsulm, gjë që nuk e realizuam mirë, por morëm tre pikët dhe jemi të kënaqur.
“Hallaçi jashtë? Dëshiroja të hidhja në fushë një lojtar më të shpejtë, pasi në atë krah sulmonte Uzuni, shumë i shpejtë.
“Alla? Gaboi në ndeshjen e fundit dhe e lashë në stol pasi psikologjikisht nuk ishte mirë dhe mund ta gabonte sërish.
“Loja jo e mirë? Forma e skuadrës nuk ishte optimale, vinim nga disa ndeshje pa fitore dhe ishte një ndeshje derbi, ndaj sot na duheshin pikët, jo loja. I bëj komplimente ekipit për atë që dha në fushë.
“Qetësia në skuadër duket sikur mungon? Jam dakord, ndaj ditët e fundit jemi takuar dhe kemi kaluar kohë bashkë. Rezultatet e fundit nuk kanë qenë perfekte dhe presioni ka qenë i madh, është normale që një ekip që kërkon kreun të mos jetë i qetë.
“Dorëheqje pas Partizanit? Jo, nuk u futa fare në dhomat e zhveshjes dhe nuk kam dhënë ndonjë dorëheqje. Thashë që do flisja me presidentin dhe do vendosnim për të ardhmen. Kam eksperiencë të mjaftueshme për të përballuar situata të vështira”.