Tekniku serb nuk kishte asnjë prej ndihmësve të tij në pankinë përballë Kamzës, ashtu si në 45-minutëshin e dytë të Superkupës me Tiranën
Jurgen Zela
Kukësi arriti që ta niste mbarë kampionatin, duke triumfuar 1-0 përballë Kamzës, në një takim që u vendos pikërisht nga 11-metërshi i fituar nga Alijev dhe i kthyer në gol nga Bakaj. Nëse në lojë nuk është se bëri më të mirën, pikët janë ata që kthejnë buzëqeshjen në kampin kuksian. Verilindorët, me statusin e kampionit, kanë ardhur me shumë ndryshime këtë sezon, ku veç afrimeve të shumta kanë bërë rokadë dhe në pankinë. Trajneri Ernest Gjoka dhe stafi i tij u larguan pas aventurës europiane, për t’u zëvendësuar nga ish-tekniku i Luftëtarit, Mlladen Milinkoviç, i cili erdhi së bashku me “gardën” e tij. Edhe pse aventura e tij nisi jo në mënyrën e duhur, fitorja në javën e parë po e kthen situatën në rrugë të mbarë, megjithëse trofetë për Gjicin janë të vyer dhe objektivi i deklaruar në fillim të sezonit u prish, çka e ka zbehur entuziazmin e “bosit” të Kukësit. Me gati një muaj e gjysmë në dispozicion, tekniku po injekton pak e nga pak lojën e tij në skuadër, megjithatë disa “barriera” po e ngadalësojnë ritmin. Trajneri flet mirë disa gjuhë, ku veç serbishtes di mirë anglisht dhe greqisht. Pikërisht kjo është gjuha që ai përdor më së shumti, duke pasur dhe ndihmën e ndihmësit të tij Vasil Papës, i cili në çdo moment qëndron me të, dhe transmeton atë që 49-vjeçari thotë. Deri këtu në rregull dhe nuk ka asgjë që nuk shkon, megjithatë në dy ndeshjet e para zyrtare, ka diçka që bie në sy, mungesa e ndihmësve të tij në pankinë gjatë ndeshjes, pa pasur ende një arsye të deklaruar.
MUNGESA
Në Superkupë, si zëvendëstrajnerët, përgatitësi atletik dhe asistenti i trajnerit nuk u lejuan që të qëndronin në stol gjatë pjesës së dytë. Asokohe justifikimi ishte se stafi u përjashtua për shkak se kishin hyrë në fushë, duke dhënë këshilla, megjithatë diçka e tillë nuk u vu re, por kaloi pa marrë shumë vëmendje. Java e parë me Kamzën, solli të njëjtin skenar si në ndeshjen me Tiranën, me ndryshimin se kjo gjë ndodhi që në fillim të ndeshjes. Ndihmësit e teknikut serb, ishin të detyruar ta ndiqnin ndeshjen pas pankinës dhe jo përkrah trajnerit. Në këtë mënyrë, “timonieri” është detyruar që të komunikojë vetë me lojtarët anglisht, ose me ndihmën e lojtarëve të stolit, të cilët në jo pak raste kanë këshilluar shokët e tyre të skuadrës. Një situatë e çuditshme, pasi është e vështirë për të gjetur një arsye të fortë. Burime për “Sport Ekspres” bëjnë me dije se ky veprim lidhjet me dokumentacionin e dorëzuar në FSHF, që nuk është i plotë, duke mos i lejuar që të jenë pjesë e stolit. Një situatë jo komode për Kukësin, që është i detyruar që në ndeshjet zyrtare të ketë si drejtues vetëm Mlladen Milinkoviçin së bashku me trajnerin e portierëve Ermal Nexhipin. Një problematikë që do ishte mirë që të zgjidhej sa më parë për Kukësin, pasi do i lehtësonte punë trajnerit. Mbetet për t’u parë në ditët e ardhshme, nëse Kukësi do të ndërhyjë për ta zgjidhur sa më parë këtë problematikë.