Trajneri i Kukësit, Mlladen Milinkoviç, ka arritur fitoren e parë në miqësore, pas barazimit kundër Lirisë së Prizrenit para pak ditësh. Ashtu si ndaj Lirisë, edhe dje Kukësi pësoi gol, ndaj Milinkoviç shqetësohet kryesisht për mbrojtjen, edhe pse pret një Kukës tjetër kur të kompletohet skuadra. “Jam i kënaqur, ishte një ndeshje me ritëm të mirë dhe skuadra u soll mirë. Më pëlqeu shumë loja e gjithë skuadrës, edhe pse kishim shumë mungesa”. Shkëlqeu Elis Bakaj: “Më pëlqeu shumë paraqitja e tij. Ka vetëm 2-3 ditë me ne, por tregoi se di të bëjë diferencën. Është lojtar me cilësi dhe eksperiencë, do të na vlejë shumë”.
Natyrisht, merkatoja është në plan të parë dhe Milinkoviç pret përforcime: “Skuadra ende nuk është e plotë por shpresoj që deri në 15 gusht të kemi plotësuar të gjitha pozicionet pasi duam edhe një ose dy lojtarë, në mbrojtje e mesfushë, me kualitet në nivelin e Bakajt apo Aliev. Jam shumë i kënaqur që rinovoi Shameti, por edhe Koliçi është një futbollist me shumë vlerë. Të dy ishin pjesë e rëndësishme sezonin e fundit dhe jam i kënaqur që u kthyen”.
Albi Alla mbetet çështje e hapur: “Të shohim se cfarë do të ndodhë në ditët e ardhshme. Unë pres Allën. Përtej problemeve, është më mirë të kthehet ai, një futbollist që e njeh mjaft mirë lojën e Kukësit. Jemi në kontakt me të dhe të shohim se cfarë do të ndodhë”.
Milinkovië trashëgon një skuadër kampione, që triumfoi në Superiore pa humbje: “Do të isha i kënaqur të humbisja 3 apo 4 ndeshje dhe të mbyllja kampionatin në vend të parë. Sigurisht që statistikat janë të rëndësishme, dhe kjo është një gjë e mirë, por njerëzit mbajnë mend vetëm titujt. Megjithatë, Nuk them se ecuria pa humbje nuk është e rëndëssihme dhe e përgëzoj trajnerin e mëparshëm për këtë arritje të madhe, pasi është dicka vërtet e madhe kur e fiton titullin pa humbje”.