“Do të guxojmë Superioren. Jemi një ekip me kualitete dhe lojtarë që kanë eksperiencë. Rivalët s’kanë diferencë me ne”
Fatmir Efica
Model për t’u ndjekur. Përfaqësues i vlerave më të mira sportive te Egnatia. Shpalos në stërvitje e në ndeshje impenjimin e tij si profesionist. Përtej përvojë së madhe në karrierë, kapiteni i skuadrës rrogozhinase, 31-vjeçari Vangjel Mile, jo thjesht se ka mësuar shumë nga “leksionet” gratis si dhe nga ustallëku” i babait të tij, trajnerit të mirënjohur Kristaq Mile, është më shumë se një udhërrëfyes brenda e jashtë fushës së lojës. Madje ai vërtetë frymëzon shumë skuadrën. Mile është autor i golit të fitores së vetme që Egnatia ka marrë në Rrogozhinë gjatë startit të fazës së parë pikërisht ndaj Vllaznisë B, ku skuadra e Gjonit fitoi 1-0 me golin e tij. Me shkodranët , Egnatia do të ndeshet këtë javë në transfertë dhe për këtë arsye kapiteni në intervistën e dhënë dje pak çaste para seancës stërvitore, posaçërisht për “Sport Ekspres” ka thënë….
- Mile, këtë javë starton faza e dytë. Si po e pret Egnatia takimin me Vllazninë B?
Më tërë motivimin që kërkon një sfidë e radhës. Madje edhe me atë besim e optimizëm që ne si skuadër e kemi shpalosur edhe në tre nga katër transfertat e fazës së parë. Ku ndaj Dinamos në Tiranë, Besës në Kavajë dhe matjanëve në Burrel ne kemi arritur të fitojmë me meritë falë lojërave bindëse të shoqëruara me rezultate mjaft interesante.
- Ndryshe nga vjet ku shënonit sistematikisht, tani ka një “rrudhje” për ju çështja e finalizimit. Çfarë po ngjet?
Eshë e thjesht dhe e kupton gjithkush që Kategoria e Dytë ku ishim vjet, më të parën ku jemi tani kanë shumë ndryshueshmëri nga njëra tjetra përsa i takon nivelit. Ndaj dhe ky kontrast nga ky argument është lehtësisht i kuptueshëm. Tek unë asgjë nuk ka ndryshuar. Veçse duhet thënë se ne jemi një skuadër me një manovër kolektive më të kompletuar dhe paraqitjet e fazës së parë e renditja në vendin e tretë e tregojnë më së miri këtë aspekt të performancës pozitive që kemi shpalosur.
- Si kapiten i Egnatias si e shihni konkurrencën e madhe që ka aktualisht pesëshja e parë në grupin “A”
Kastrioti vërtetë është shkëputur në pikë pas mbylljes së fazës së parë, por unë mendoj se asgjë nuk ka mbaruar. Gara është e hapur. Madje në këtë grup ekipesh të pesëshes së parë që konsiderohen të gjithë konkurrente shumë të fortë, më vjen vërtetë shumë mirë që është edhe Egnatia. Pavarësisht se ne si ekip na kishin llogaritur ndoshta një skuadër të ”vogël”. Por ne e kemi hedhur “pas krahëve” tashmë këtë opinion të skeptikëve. Mendoj se janë edhe Besëlidhja, Besa e Kavajës apo Erzeni që kanë sigurisht emër e traditë të madhe, skuadrat që do të mbajnë ndezur në dy fazat e tjera të mbetura të këtij sezoni luftën për kreun e Grupit “A”.
- Çfarë mund të bëhet më mirë nga Egnatia tani në prag të fazës së dytë?
Të përmirësojmë efektivitetin e pikëve në ndeshjet shtëpiake. Loja e mirë, rastet, kërkojnë edhe pak më shumë fat. Koficienti i mjaft pikëve lëna në Rrogozhinë na ka penalizuar mbi këtë diferencë që ne kemi ndaj ekipit krutan. Gjërat e tjera nuk kanë shkuar keq…