Milani po luan finalen në CAS, prestigj dhe miliona euro në lojë

Prej orës 9.30 të paradites së sotme në CAS po zhvillohet finalja e parë sezonale e Milanit. Përballë është UEFA, në lojë është pjesëmarrja në Europa League.

Në lojë është edhe prestigji kuqezi, por edhe miliona euro, nga 10 deri në 50 milionë, ndaj Milani shpreson shumë që mbrojtja para CAS-it të japë fryte. Disa avokatë në fushë, edhe Antonio Rigoci, ai që mundi UEFA-n në CAS për llogari të Shqipërisë, pas ndeshjes në Serbi, që u ndërpre.

TË ARDHURAT – Europa League duket e varfër në krahasim me Champions League, por kur nuk ke pulën, do hash sorrën. Dhe është alamet sorre, sidomos nëse Milani do shkonte deri në fund të turneut.

UEFA për edicionin e ri ka vendosur në dispozicion të klubeve 560 milionë euro, me 140 milionë që do jenë vetëm për klubet që shkojnë në grupe,cka do të thotë se 2.92 milionë euro arkëtohen thjesht nga prania në grupe. Pastaj janë 570.000 euro për çdo fitore  dhe 190.000 për barazim. Kush fiton grupin merr 1 milionë euro, kush del i dyti, gjysmë milioni. Me pas natyrisht milionat shtohen për çdo kualifikim, por që në grupe Milani do arkëtonte rreth 5 milionë euro pa shumë sforcim, nëse fitonte 3 ndeshje minimumi. Nëse llogaritet edhe fondi që UEFA do të shpërndajë për klubet në varësi të interesit mediatik, Milani do të arkëtonte disa milionë të tjera dhe duke verë llogari, shifra totale shkon nga 10 milionë euro në rast eliminimi në grup e deri në 50 milionë euro në rast triumfi në Europa League.

Më pas, duhet llogaritur që një ndeshje shtepiake në Europë vlen rreth 500.000 euro vetëm nga biletat, e pakta. Në fund, Milani kërkon të kthehet në Europë jo thjesht për arkëtimet, por edhe për të evituar një dëm të paparë për imazhin, të tifozët, mediat dhe sponsorët.

Për këtë arsye, Europa League për Milanin duhet fituar që sot në CAS.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *