Dje në mbrëmje Gonzalo Higuain u paraqit në Milano, mes entuziazmit të tifozëve, ndërsa sot ka zbarkuar në Malpensa Matia Kaldara.
Ish-mbrojtësi i Atalantës, i cili këtë verë u bashkua me Juventusin, nuk debutoi kurrë zyrtarisht me bardhezinjtë, sepse është shkëmbyer me Leonardo Bonuçin.
Ndoshta ka mbetur i zhgënjyer Kaldara, por është vetëm 24 vjeç dhe konsiderohet e ardhmja e Milanit dhe Italisë, në dyshe me Romanjolin.
Mbrojtësi ka thënë edhe fjalët e para si kuqezi: “Jam i kënaqur që jam këtu. Kam folur me Gatuzon dhe me ndonjë shok që kam pasur tek Atalanta. Numri i fanellës? Nuk e kam menduar ende. Dyshe me Romanjolin? Do jetë emocionuese”.