Mici: Këtë sezon i fitojmë të dy trofetë

Mbrojtësi i krahut të majtë thekson se atmosfera në ekip është pozitive dhe lojtarët janë mjaft të karikuar për të dhënë gjithçka deri në fund 

Leonard Trebicka

Skënderbeu vazhdon me të njëjtin ritëm. Faza e tretë rezulton mjaft pozitive për skuadrën trajnerit Ilir Daja, madje edhe në ndeshjet ku situata ishte emergjente për shkak të mungesave, rezultatet kanë qenë pozitive. Fjala është për ndeshjet me Partizanin në Korçë dhe Kukësin në transfertë. Gledi Mici, një nga titullarët e mbrojtjes së ekipit korçar, shprehet në intervistën e mëposhtme për “Sport Ekspres” se lajmet e fundit nuk e kanë prishur atmosferën dhe se Skënderbeu do ta heqë “këmbën nga gazi” vetëm kur ta ketë siguruar matematikisht titullin. Mici flet edhe për Jashanicën dhe dënimin e mundshëm nga UEFA.

– Mici, Skënderbeu i pandalshëm në këto 23 javë. E keni ndarë mendjen të vazhdoni kështu deri në fund?

– Patjetër që po. Do ta vlerësojmë çdo ndeshje, sikur të jemi në javën e parë, njësoj sikur luajmë ndaj vendit të dytë. Këtë do ta bëjmë, pasi jemi të përgatitur për atë që na pret pas këtij kampionati.

– Çfarë ju pret pas kampionatit?

– Na pret një verë tjetër shumë e nxehtë në Champions League.

– Në fakt, lajmet janë se UEFA pritet ta dënojë Skënderbeun për Kupat e Europës…

– Nuk ka ndodhur dhe nuk ka për të ndodhur. Jemi të përqendruar në çdo seancë stërvitore. Nëse do t’u kushtonim vëmendje lajmeve të UEFA-s, nuk do të ishim këtu ku jemi. Jemi me humor më të mirë se asnjëherë më parë.

– Realisht, si mendoni në lidhje me atë vendim që do të merret në të ardhmen nga UEFA për Skënderbeun?

– Nuk do të ketë asgjë. E para, nuk ka asnjë provë. E dyta, jemi dënuar njëherë për atë çështje dhe nuk mund të dënohemi sërish. Është thjesht një zhurmë e madhe pa fakte.

– Do t’ju vinte keq, nëse asgjë nuk do të merrej parasysh dhe Skënderbeu do të dënohej?

– Patjetër që do të na vinte shumë keq. Është bërë një punë kolosale me Skënderbeun dhe nëse do të dënoheshim, do të ishte diçka e keqe për gjithë Shqipërinë, futbollin, Skënderbeun dhe për ne lojtarët. Por nuk ka për të ndodhur asgjë.

– Kthehemi te kampionati, ku Skënderbeu duket se nuk ka kundërshtarë për titullin. Cili është sekreti i kësaj skuadre?

– Është shpejt për të folur për titullin, pasi ka edhe 39 pikë në lojë dhe nuk janë pak. Kjo nuk do të thotë se nuk jemi të qetë, por kur ta sigurojmë matematikisht titullin, do të jemi më të lumtur. Ka pasur edhe fjalë se mund të tolerojmë, por kemi treguar se jemi Skënderbeu i madh.

– Kukësi është skuadra që ju ndjek nga pas. E mendoni se mund t’u afrohet dhe t’u rrezikojë?

– Nuk besoj se do të na afrohet dhe këtë nuk ka për ta bërë asnjë skuadër. E kemi treguar në ndeshjet direkte me rivalët, teksa i kemi mundur të gjithë. Kemi treguar se e meritojmë të jemi këtu ku jemi.

– Çdo javë e më shumë po shkëputeni. Çfarë ju nxit kaq shumë për të kërkuar maksimumin në fushë?

– Thjesht është harmonia që kemi në grup. Motivojmë çdo ditë e më shumë njëri-tjetrin që të fitojmë. Edhe konkurrenca bën punën e vet. Të gjitha këto na bëjnë të jemi në këtë formë dhe të mos falim asnjë kundërshtar.

– Këtë fundjavë në Korçë vjen Lushnja. Një ndeshje thjesht për formalitet?

– Në fakt, formalitet e mendoi edhe Kukësi përpara shumë javësh dhe e pësoi 1-3 në shtëpi. Në futboll nuk ka asnjëherë formalitet dhe do ta vlerësojmë maksimalisht Lushnjën e vendit të fundit.

– Forma juaj ka qenë stabël gjatë gjithë sezonit. Mos ndoshta duhet tashmë të ulet rritmi, pasi titulli është çështje kohe?

– Jam i mendimit se kur jemi konstantë, mund të shkojmë te suksesi. Për mua, duhet të shtojmë edhe një marsh më shumë.

– Asnjëherë nuk e keni fituar Kupën e Shqipërisë. Ndoshta këtë sezon do të bëni “bis” trofesh?

– Pse jo, objektivat tona janë të qarta, ku fitimi i titullit kampion është objektivi i parë dhe më pas Kupa e Shqipërisë. Gjithsesi, kur të jemi gati të zbresim në fushë për kupën, do të shikoni vlerësim më të madh nga Skënderbeu.

– Si është atmosfera në skuadër pas këtyre rezultateve pozitive dhe pas lajmeve të fundit për problemin e Jashanicës?

– Dua ta nis nga Jashanica. Më vjen shumë keq për të, është një futbollist që nuk e meriton. Dënimi për të uroj të jetë sa më i ulët. Sa për atmosferën, gjithmonë ka qenë dhe është pozitive. Lajmi i UEFA-s na e ka prishur pak terezinë, por nuk ka ndikuar. Ne i marrim gjërat me qetësi, çka e karakterizon këtë skuadër.

– A do të shohim këtë Skënderbe edhe në 13 javë të fundit?

– Mendoj se do ta ulim ritmin vetëm në pesë javët e fundit, kur ta kemi mbyllur çështjen e titullit. Profesor Ilir Daja nuk ka për të na lënë asnjëherë ta ulim ritmin. Kur ta sigurojmë trofeun, do të jemi më të qetë, prandaj të presim edhe pak kohë për t’u gëzuar për titullin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online