Taulant Xhaka: Kam ëndërr të luaj në një ekip me Granitin

Mesfushori jonë ka folur para takimit kundër Sitit në Champions. Përballë Qytetarëve do të luajë i improvizuar si mbrojtës

Mesfushori i kombëtares, Taulant Xhaka ka dhënë një intervistë për portalin goal.com ku ka folur në prag të sfidës kundër Mançester Sitit. Për Bazelin takimi i kthimit në Etihad do të jetë veçse një sfidë më shumë prestigji, duke qenë se kualifikimi është i mbyllur pas fitores 4-0 të Sitit në Zvicër në takimin e vajtjes. Gjatë intervistës së tij Taulanti, më i madhi i vëllezërve Xhaka ka deklaruar se ka një ëndërr në sirtar: të luajë së bashku me Granitin në një ekip, mundësisht tek Bazeli. Vëllezërit Xhaka kanë pasur një të kaluar të përbashkët te të rinjtë e Konkordias, përpara se Graniti të shkonte tek Bazeli duke u cilësuar si një nga mesfushorët më të mirë në Zvicër. Më pas ata janë kthyer në kundërshtarë, teksa janë përballur mes tyre në Champions në sezonin e kaluar kur Bazeli luante kundër Arsenalit, pa harruar dhe duelin në Euro 2016, i vogli me Zvicrën dhe i madhi me Shqipërinë. Dhe me sa duket Taulanti uron që në mbyllje të karrierës të luajë përsëri me Granitin në një ekip.

Ndryshimet mes vëllezërve

“Bisedoj shpesh me Granitin, flas 4 herë në javë me të. Flasim për shumë gjëra, jo vetëm për futboll. Kjo dhe për faktin se ai po kalon një moment delikat me Arsenalin. Ne shkëmbejmë mendime mes nesh, shpesh dhe kritika me qëllimin për t’u përmirësuar. Ai më ndihmon mua dhe unë e ndihmoj atë. Ne jemi dy lojtarë me karakteristika të ndryshme. Graniti është teknikisht më i fortë, por trajnerët gjykojnë dhe për cilësi të tjera. Për fat të keq nuk i shoh shpesh ndeshjet e tij, sepse luajmë të shtunave në më të shumtën e rasteve. Por nëse nuk kam angazhime, pa diskutim që e ndjek çdo ndeshje të tij”.

Ëndrra

Vëllezërit Xhaka kanë pasur një të kaluar të përbashkët te të rinjtë e Konkordias, përpara se Graniti të shkonte tek Bazeli duke u cilësuar si një nga mesfushorët më të mirë në Zvicër. Jo më kot Taulanti ka përsëritur ëndrrën e tij për të luajtur përsëri në të njëjtin ekip me Granitin. “Dua të luaj përsëri në një skuadër me Granitin. Nëse nuk do të ishte e mundur te Arsenali, atëherë tek Bazeli, pse jo. Është ëndrra ime për të luajtur përsëri me vëllain tim. Pastaj se në cilën skuadër nuk ka rëndësi. Ai është mjaft i lidhur me Bazelin dhe jam i bindur se një ditë do të kthehet. Sa herë ka një apo dy ditë pushim vjen në Basel për të takuar miqtë dhe familjen, kemi një lidhje shumë të fortë”.

Përballja me Sitin

Bazeli do të përballet sonte në mbrëmje në Ligën e kampioneve kundër Mançester Sitit në Etihad Stadium në ndeshjen e kthimit të vlefshme për 1/8 e finaleve në këtë kompeticion. Natyrisht që gjithçka është e paravendosur me Sitin që ka fituar 4-0 në takimin e vajtjes në St Jakob-Park. Taulant Xhaka pritet që në këtë takim të ndryshojë pozicion, teksa mediat helvete bëjnë me dije se ai mund të zhvendoset prapa në një mbrojtje me 3 kundër Qytetarëve. Vetë Taulanti nuk duket ta ketë problem një gjë të tillë. Duke folur për Sitin, ai e ka vlerësuar skuadrën e drejtuar nga Pep Guardiola si një nga ekipet më të forta në Evropë. “Çdo njeri ka mendimin e tij për skuadrat më të forta në Evropë. Personalisht mendoj se Siti është aktualisht ekipi më i mirë në Evropë. Ajo çfarë e bën dhe më të fortë është pasja në stol e një trajneri të veçantë si Guardiola. Ata duan të kenë gjithçka nën kontroll, duan ta zotërojnë të vetëm topin. Aftësitë e tyre në pasim he forca fizike janë vërtet mahnitëse. Dua të ndalem te dy kundërshtarë direkt të mi në fushë, Kevin de Brujne dhe Ilkaj Gyndogan. Çfarë mund të bëj? Vetëm të mësoj prej tyre. Ata janë lojtarë në model në rolin e tyre. E kemi parë të gjithë në ndeshjen e vajtjes. Jemi mundur 0-4, por nuk mendoj se kemi luajtur dhe aq keq. Siti ka bërë 5 gjuajtje në portë dhe 4 prej tyre kanë përfunduar në rrjetë. Ai takim më është dukur si përballja jonë kundër Benfikës kur fituam 5-0. Në këtë moment ne ndodhemi në vështirësi, ndaj duhet ta kalojmë këtë fazë delikate duke luajtur lirshëm. Ne e dimë se nuk kemi shanse kundër Sitit, por rëndësi ka të luajmë lirshëm, sepse Siti nuk është njësi matëse për ne. Mund të them me bindje se nëse Siti vazhdojnë të luajë në këtë mënyrë ata do të fitojnë Ligën e Kampioneve. Por natyrisht këtu nuk duhen anashkaluar klube të mëdhenj si Reali, Barcelona, që gjithashtu janë mes pretendentëve kryesorë për fitimin e këtij trofeu”.

Kampionati zviceran

Taulant Xhaka ka folur dhe për ecurinë e Bazelit në kampionatin zviceran. Në ndryshim nga sezonet e kaluar, ky sezon është krejt ndryshe për kampionët në fuqi të Zvicrës, që e shohin veten larg titullit. “Sezoni aktual nuk ka shkuar siç e kishim parashikuar. Në kampionat Jang Bojs është 11 pikë përpara, por ne kemi një ndeshje më shumë për të luajtur. Deri në fund mbeten dhe 12 takime dhe ne do të bëjmë gjithçka për të fituar titullin sërish. Të gjithë duhet ta kuptojmë se në futboll ka momente të mira sikurse ka dhe momente shumë të vështira. Problemi qëndron në faktin se shumë prej nesh nuk jemi mësuar të kalojmë momente të tilla negative në kampionat. Ne duhet të kalojmë vështirësitë edhe pse në këtë moment e kam të vështirë të shpjegoj se ku qëndrojnë problemet më të mëdha. Në radhë të parë duhet të gjejmë njëri-tjetrin. Kemi afruar lojtarë të rinj në ekip dhe natyrisht që kërkohet kohë deri në përshtatjen e plotë të tyre. Ne jemi Bazeli dhe jemi klubi më i mirë në Zvicër. Nuk mendoj se Jang Bojs do të fitojë të 12 takimet deri në fund të kampionatit. Ne duhet të jemi të përgatitur nëse ata do të gabojnë për të shfrytëzuar çdo mundësi. Për më shumë nga takimet e mbetura do të përballemi dy herë ndaj tyre dhe këto takime do të vendosin titullin në Zvicër” – ka thënë Taulant Xhaka.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online