Kurbinasit kanë punuar fort në aspektin fizik dje, kurse nga sot do shikohen lëvizjen në formacion
Dita e dytë stërvitore për këtë javë e djeshme dhe te Laçi kanë menduar të rrisin parametrat fizikë. Ndodh çdo javë që trajneri Gentian Mezani i rrit ngarkesat në të paktën njërën nga seancat dhe kështu ndodhi dje. Cirkuite të shumta me dhe pa top dhe në fund pak lojë brenda grupit, për të përmbyllur seancën stërvitore dhe sot e deri të shtunën ekipi do të fokusohet më së shumti në aspektin taktik të ndeshjes. Trajneri Mezani do të ndjekë edhe sfidën që Skënderbeu luan me Jang Bojs sot në Europa League, për të marrë edhe ndonjë informacion shtesë mbi gjendjen e korçarëve. Në fazën e parë në Korçë ishin vendasit që fituan me rezultatin 2-1, ndërkohë që Laçi me Nikën pati mundësinë të barazonte nga pika e bardhë e penalltisë, por Orges Shehi ndali gjuajtjen e shkodranit. Futbollistët kurbinas po punojnë me seriozitet gjatë seancave stërvitore, pasi e dinë mirë se i pret një ndeshje e vështirë, edhe pse luhet në shtëpi. nuk duhet harruar fakti që Laçi-Skënderbeu do të luhet pa praninë e publikut.
LËVIZJET
Në ndeshjen me Vllazninë mungonte mesfushori Ansi Nika, që me gjasa këtë javë kthehet titullar. I gatshëm është edhe mbrojtësi Arbër Shala, ndërkohë që mbetet për t’u parë se çfarë do të lëvizë tjetër në mesfushë. Me shumë mundësi nga minuta e parë pritet ta nisë edhe Regi Lushkja, mesfushori që shënoi golin e fitores ndaj Vllaznisë ditën e diel në Shkodër. Kavajasi e ka gjetur rrugën e rrjetës edhe në një takim tjetër dhe pikërisht ndaj Skënderbeut, që këtë javë vjen si mysafir në Laç.
Vladimir Prenga