Luftëtari i Mezanit duket se po funksionon mjaft mirë, pasi nën drejtimin e teknikut vlonjate skuadra ka marrë 6 pikë në tre ndeshje, por dhe në humbjen me Kukësin ekipi është paraqitur mirë dhe prodhoi lojë.
Java e tetë rezervon një përballje të vështirë për bluzinjtë që do të presin në shtëpi Skënderbeun. Tekniku Mezani ka besim se skuadra e tij ka mundësi reale për të marrë një rezultat pozitiv, në mënyrë që të ekipi të ketë vazhdimësi.
Në konferencën e zakonshme për shtyp, numri 1 i stolit të Luftëtarit ka folur dhe për gjendjen e lojtarëve të dëmtuar. Rroca duket se gradualisht po afrohet me gjendjen optimale në ndeshjen me Partizanin mund të ketë mundësinë për t’u rikthyer në fushën e blertë.
“Pas ndeshjes me Kamzën skuadra ka një moral tjetër dhe ka treguar se ka forcë për të arritur tek fitorja. Gjithashtu ka forcë për të mos humbur pikë dhe ka forcë për të bërë më të mirën në fushën e saj. Skuadra është përgatitur mirë në këto dy ditë. Nuk kemi pasur shumë kohë për të bërë gjëra shumë të mëdha. Jemi munduar që të rikuperojmë disa lojtarë që janë shfaqur më të lodhur se disa të tjerë”.
“Nesër do të hymë në fushë për të marrë më të mirën e mundshme ndaj Skënderbeut. Skuadra është gati për këtë ndeshje. Uroj që çdo lojtar që të luajë të japë më të mirën, pasi është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne që të kemi vazhdimësinë”.
“Na rikthehet Ramadani dhe është diçka pozitive për skuadrën. Të vetmit që do të mungojnë janë Rroca, Jakovljeviç dhe Aleksi. Rroca është me grupin dhe është në një moment të mirë. Uroj që të ketë disa minuta pas ndeshjes me Skënderbeun, pra pas pushimeve. Për Aleksin duhet të presim ende, pasi është në fazën e rikuperimit”.