Mezani bën planin, shqetëson Ansi Nika

0

Shkodrani nuk ishte dje në stërvitje dhe është në dyshim për këtë takim, ndërkohë që trajneri vlonjat mendon për formacionin

Vladimir Prenga

Laçi e ka marrë seriozisht ndeshjen me Kamzën, teksa kjo shihet qartë në seancat stërvitore që skuadra po zhvillon. I gjithë ekipi po punon i përqendruar dhe me idenë e vetme në kokë se nesër duhen marrë tre pikët e radhës, pasi në shtëpi nuk mund të pajtohen me rezultat tjetër veç fitores. Bardhezinjtë vijnë pas një triumfi të arritur në Lushnje me rezultatin 0-3 dhe trajneri Gentian Mezani po punon me futbollistët e tij që të jenë gati për përballjen me Kamzën. Ditët e fundit skuadra ka punuar më së shumti në aspektin taktit, teksa e gjithë përgatitja i është kushtuar kundërshtarit. Morali është lart para këtij takimi, por grupi i lojtarëve nuk do të jetë i plotë, pasi mbrojtësi brazilian Ademir Souza është i dëmtuar dhe nuk mund të aktivizohet as këtë javë.

NIKA – Një tjetër futbollist që ka shfaqur probleme këtë javë ka qenë mesfushori Ansi Nika. Shkodrani po kalon një gjendje gripale dhe fillimisht u mendua se kaloi gjithçka, pasi ai u vu nën urdhrat e stafit teknik ditën e premte, por dje mungoi sërish, duke vënë në dyshim prezencën e tij në sfidën me Kamzën. Gjatë ditës së sotme do të shihet gjendja e tij dhe nëse përmirëson atëherë mund të grumbullohet, por gjasat janë të vogla që të luajë titullar. Për këtë trajneri Mezani po mendon zëvendësuesin e Nikës dhe janë disa alternativat. Shala është një opsion, por aktivizimi i mundshëm i tij do dërgonte në të djathtë Uzunin dhe për beratasin ky nuk është aspak një problem. Gjithashtu edhe i riu Bushi është një opsion për stafin teknik, sikurse edhe nigeriani Ejoh. Sot pritet të kuptohet më mirë se di do të luajë bardhezinjtë ndaj Kamzës.

MBËSHTETJA – Dy javë më parë Laçi u zhvendos në Krujë dhe barazoi me Flamurtarin, ndërkohë që këtë javë bardhezinjtë do të luajnë në shtëpi. Drejtuesit dhe lojtarët presin që këtë herë mbështetja e tifozëve të jetë më e madhe se në ndeshjet e tjera, nisur edhe nga rezultati i fundit i marrë me Lushnjen. Humbja e pësuar me Luftëtarin pat ndikimin e vet në numrin e tifozëve në ndeshjen me Vllazninë, por këtë herë pritet që tifozët kurbinas të vijnë në mbështetje të ekipit.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.