Leo Mesi u tërhoq përkohësisht nga kombëtarja e Argjentinës pas përfundimit të Botërorit Rusi 2018. 31-vjeçari ka patur bisedime gjatë kësaj kohe me presidentin e Federatës, por akoma nuk dihet një datë e rikthimit të tij, ose nëse ai do të veshë përsëri bluzën “albiceleste”.
Të gjithë duan ta shohin kapitenin përsëri pjesë të kombëtares dhe për t’ia arritur diçkaje të tillë Argjentina e ka një plan. Siç raporton “Marca”, kombëtarja latine ka në program një miqësore me Venezuelën, e përcaktuar për t’u luajtur me datë 22, ose 26 mars. Guilermo Tofoni punon si agjent i ndeshjeve të FIFA-s dhe ai po bën maksimumin për të zhvilluar këtë sfidë në… Spanjë!
Fundi i marsit qëllon me një periudhë impenjative për shumë klube, Leo Mesi do mendohej dy herë të rikthehej tek Argjentina, ndërsa kjo e fundit ka menduar të afrohet afër tij. Miqësorja mund të luhet në Madrid, ose Barcelonë dhe diçka e tillë mund të rriste shanset e rikthimit të Mesit në ekipin e drejtuar nga Skaloni.
Është e vështirë të kesh në përbërje një fenomen të tillë dhe mos ta shfrytëzosh, kështu që Argjentina po tenton të luajë çdo kartë për të rikthyer numrin dhjetë në kombëtare, pavarësisht se diçka e tillë është e tepërt, por në vendin latin shpresojnë që t’ia arrijnë qëllimit të tyre.