Ditën e sotme Tirana ka nisur përgatitjet për sezonin 2017/2018, që i sheh bardheblutë në Kategorinë e Parë, si kurrë më parë. Misionin e rindërtimit të skuadrës e ka marrë ish-futbollisti i njohur Ze Maria, i cili sot ka folur për mediat, duke premtuar kthim të menjëhershëm në Superiore: “Fillojmë një rrugëtim të gjatë për të arritur objektivin tonë, që është mëse i qartë dhe djemtë e dinë, të fitojmë grupin B të kategorisë së Parë për ta rikthyer Tiranën aty ku i takon. Deri tani jam i kënaqur me punën që kanë bërë drejtuesit e klubit, më kanë vënë në dispozicion futbollistët që u kam kërkuar, lojtarë të zotë. Ne duhet të mendojmë si për këtë sezon ashtu edhe për sezonin pasardhës që të ndërtojmë një skuadër të fortë për të përballuar me sukses edhe kategorinë Superiore vitin tjetër”.
Mervejl e Akua, dy nga talentet e mëdha të Tiranës, nuk u paraqitën në stërvitjen e parë, në pritje të transferimit te Osijeku në Kroaci. Ze Maria paralajmëron ndryshime të tjera në skuadër, por ndërkohë i bën thirrje klubit të mos shesë Albi Dokën: “Do të ketë disa fytyra të reja, pasi brenda kësaj jave do ti bashkohen skuadrës 3-4 futbollistë të tjerë që do të kompletojnë grupin. Mungojnë Mervejl dhe Akua, pasi ata po vendosin së bashku me klubin të ardhmen e tyre, por mungojnë edhe disa lojtarë të tjerë që janë blerë Tirana dhe ata janë 2 mesfushorë dhe një sulmues.
“Karabeci e Lika kanë rinovuar. Janë dy futbollistë shumë të rëndësishëm, për këtë skuadër pasi eksperienca e tyre mund të rriten lojtarët më të rriten në moshë. Doka është një futbollist i yni dua ta mbaj në skuadër sepse një lojtar me cilësi të mëdha dhe me një të ardhme të madhe përpara. Doka është një futbollist që luan në të njëjtin rol ku kam luajtur unë dhe mendoj se mund ta ndihmoj shumë të rritet dhe klubi e di këtë”.