Mersini, mesazh Luftëtarit: Asnjë polemikë, pikët qëndrojnë në Vlorë

0

Mbrojtësi i majtë gjirokastrite flet për ecurinë e kuqezinjve dhe për sfidat e radhës. Në fokus ish-ekipi i tij, nga ku u largua me polemika

Elton Nika

Dinamo për Kupë dhe Luftëtari për kampionat, dy ndeshje radhazi shtëpie për Flamurtarin, që kërkon vazhdimësinë e rezultateve pozitive. Me fitoren 2-0 në ndeshjen e parë, vlonjatët e kanë hipotekuar tashmë kualifikimin, por megjithatë do të kërkohet vëmendje maksimale në ndeshjen e kthimit, ndërsa të shtunën ndaj Luftëtarit, për Flamurtarin është një përballje shumë e rëndësishme. Si një “ish” në sfidën e fundjavës, mbrojtësin e majtë të Flamurtarit, Ergis Mersinin, e pret një sfidë e veçantë ndaj skuadrës së qytetit të tij. Polemikat e largimit janë lënë pas dhe mbrojtësi gjirokastrit kërkon të vijohet në rrugën e rezultateve pozitive dhe beson plotësisht tek fitorja në dy sfidat e radhës në Kupë e kampionat.

– Tri javë, gjashtë pikë për Flamurtarin. Tashmë jeni në vendin e tretë, si gjykoni ecurinë e deritanishme?

– Nuk është aspak rastësi për një skuadër si Flamurtari, për vete emrin, traditën dhe historinë në futbollin shqiptar të një emri të madh. Kemi marrë gjashtë pikë dhe fitorja e fundit në Durrës ishte shumë e rëndësishme. Megjithatë, nuk duhet dhe nuk ka aspak vend për eufori, pasi duhet të mendojmë vetëm ndeshje pas ndeshje dhe kështu do të bëjmë. Çfarë ka ikur mbetet pas. Duhet të shohim vetëm përpara.

– Një fitore me shumë vlera në Durrës. Çfarë mund të na thoni për atë takim?

– Asnjëherë nuk është e lehtë të fitosh ndaj Teutës, një skuadër që mbi të gjitha kishte bërë mjaft mirë në kampionat në dy javët e para dhe vinte me moral të lartë. Por e kemi merituar plotësisht fitoren për atë që zhvilluam në atë ndeshje. Kemi dominuar totalisht pjesën e parë dhe mund të kishim shënuar më shumë se dy gola. Pastaj në pjesën e dytë presioni ishte normal, por mendoj se fitoren nuk e kemi vënë në rrezik dhe kemi marrë tre pikë me mjaft rëndësi.

– Kjo javë dy ndeshje, fillimisht me Dinamon për kupë. Kualifikimi detyrim…

– Kemi fituar në ndeshjen e parë 2-0 dhe ky është një hap shumë i rëndësishëm, por nuk duhet nënvlerësuar aspak. Dinamo, pavarësisht   se garon në Kategorinë e Parë, mbetet gjithmonë një emër i madh i futbollit shqiptar. Gjithsesi kalimi i turit është vetëm një hap larg dhe jemi pothuajse të kualifikuar. Ju them me bindje të plotë se e kemi vlerësuar maksimalisht këtë takim.

– Në fundjavë vjen Luftëtari. Një sfidë speciale për ju, por cili është objektivi?

– Për mua mbetet një ndeshje e veçantë. Luaj kundër ish-ekipit tim dhe skuadrës së qytetit tim. Luftëtari është një skuadër e bukur për t’u parë, një ekip që luan mjaft mirë futboll dhe ne e vlerësojmë padyshim këtë fakt, por do të kërkohet maksimumi. Vlerësimi si për Luftëtarin, ashtu dhe çdo kundërshtar tjetër mbetet maksimal në çdo ndeshje. Nuk ka rëndësi emri, por ndeshja brenda 90 minutave. Do të jetë një përballje e vështirë, por e bukur padyshim. Ne kërkojmë të vijojmë rezultatet pozitive, por pa eufori, pasi diçka e tillë të godet. Jam i bindur se do fitojmë.

– Largimi juaj në janar nga Luftëtari nuk kaloi pa polemika…

– Ishin polemika ta çastit, tashmë kanë kaluar dhe asgjë më shumë se kaq. Nuk dua të ndalem më aty. Për mua Luftëtari mbetet një skuadër që e respektoj mjaft dhe i uroj më të mirën në këtë sezon, sigurisht pas ndeshjes sonë. E them me bindje se do të kaloj mirë dhe padyshim në fushë do të kërkoj fitoren e Flamurtarit. Polemikat ja lëmë të shkuarës.

– Bregu, Zeqaj, Beqiri te Luftëtari si “ish”, ndërsa në Vlorë Mersini dhe Liçaj. Si do përfundojë?

– Triumfon Liçaj dhe Mersini padyshim. Për të gjithë do të jetë një ndeshje e veçantë, por në fund të 90 minutave fiton Licaj dhe  Mersini.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.