Merr fund historia e Jasir Asanit, mesfushorit të talentuar shqiptar nga Maqedonia, i cili ka luajtur edhe me Shqipërinë U-21 në të shkuarën. I lirë në treg, Asani më në fund ka zgjedhur ekipin e ri, duke firmosur për 4 vite me Partizanin, që e ka prezantuar futbollistin e sapoafruar.
Vetë mesfushori për “Sport Ekspres” ka konfirmuar lëvizjen që kërkonte prej kohësh, pasi dëshira e tij e parë ishte pikërisht Partizani, por gjithçka u ndal nga shifra e konsiderueshme prej 28 mijë eurosh që duhej paguar paguar te menaxheri i lojtarit, i cili kishte shlyer vetë Vardarin për taksën e formimit.
Dje u fut në lojë edhe Kukësi, me Asanin që u nis për në Shqipëri për të biseduar me kampionët, por kjo duket se ka vënë nën presion Partizanin, që ka nxituar të mbyllë gjithçka.
22-vjeçari do të federohet me Partizanin B, pasi aty ka ende mundësi lëvizjesh, edhe pse nuk kuptohet qartë si funksionon kjo çështje, pasi në teori në Kategorinë e Dytë regjistrohen vetëm lojtarë të Prefekturës, por ndoshta për Asanin ka përjashtim duke qenë pjesë e kombëtares në të shkuarën.