Gugash Magani do të mbetet në krye të Besës, ndërkohë drejtuesit po punojnë pa shumë bujë në merkaton e kësaj vere. Sekretari i klubit kavajas, Klejdi Zenelaj, për SportEkspres.com deklaron se Besa po i kushton vëmendje elementit të ri, njëherësh edhe përmirësimit të infrastrukturës në stadium.
“Nëse do të përmend dy të afruarit e fundit, Klevis Shaqe dhe Uheid Hoxha, kjo do të thotë se Besa do ketë prioritet talentet e rinj në moshë. Duke u bashkuar këta me pjesën e përvojës, si Mihani, Cara, Kullolli, Perja, Deliu, dy nigerianët Onuh dhe Ejoh, Ndraxhi, Miraka e lojtarët kosovarë Krasniqi, Thaçi, Shaljani e Zeqiri, këta do jenë baza e sezonit të ri”, u shpreh Zenelaj fillimisht.
Për emrat e rinj në merkato, ai nuk jep emra të veçantë. Më tej ai zbulon edhe programin e punës deri në nisjen e sezonit e në veçanti atë të fazës përgatitore. “Kanë nisur investimet në infrastrukturën e stadiumit, ndërsa përgatitjet do të nisin më 15 korrik.
Për dy javë skuadra do përgatitet këtu në Kavajë e më pas do udhëtojë në Pogradec ose në Korçë. Ndërkohë që në merkato do jemi aktivë, kryesisht me moshat e reja dhe në tregun kosovar të futbollit. Këto janë prioritetet tona për sezonin e ri”, ka përfunduar zyrtari i klubit kavajas.
AGRON KAJA