Këto ditë të nxehta të qershorit, administratori i Devollit, Nesti Binishi, është duke vëzhguar për lojtarë tregun maqedonas të futbollit. Për SportEkspres.com, ai deklaron se për sezonin e ri mundet që te skuadra e tyre të afrohen dy lojtarë nga Maqedonia e Veriut dhe thekson se stafi drejtues ka qenë në kontakte me futbollistë të veçantë shqiptarë, por gjatë muajit korrik do vendoset.
“Gjatë këtij muaji kemi qenë në kontakte me grupin e futbollistëve që mbyllën sezonin e kaluar me Devollin, por edhe kemi bërë biseda me futbollistë të veçantë. Unë kam biseduar me dy futbollistë maqedonas, por gjithçka vendoset në fillimin e muajit korrik, kur edhe është planifikuar që skuadra të nisë përgatitjet për sezonin e ri”, është shprehur Binishi.
Duke ditur se kjo skuadër është nën administrim nga Bashkia e Bilishtit, data 30 qershor e planifikuar për zgjedhjet vendore duket se është bërë si një “mur Berlini” për merkaton, por edhe për vazhdimësinë e skuadrës. Edhe trajneri Stavri Nica ka deklaruar se ende është i pa konfirmuar për stolin, ndaj deri tani nuk ka patur asnjë lëvizje në hyrje e dalje te Devolli.
AGRON KAJA