Menaxheri i Allës: Më 1 korrik firmos, nuk ka asnjë detyrim

Për të sqaruar “lëmshin” Alla-Kukësi, “Sport Ekspres” ka komunikuar me menaxherin e Albi Allës, Fotis Paparegas. Ky i fundit ka sqaruar se Alla nuk ka firmosur në Greqi, por ka arritur marrëveshjen që të jetë pjesë e Larisës prej 1 korrikut, kur kontrata e tij mbyllet zyrtarisht. “Alla është i lirë prej 1 korrikut dhe Federata Shqiptare do ta konfirmojë këtë gjë. Muaji qershor konsiderohet vetëm formalisht pjesë e kontratës, sepse ajo vlen deri në ndeshjen e fundit të sezonit. Në qershor Kukësi stërvitet dhe luan vetëm për sezonin 2017/2018, ndaj Alla nuk ka asnjë detyrim për t’u bashkuar në stërvitje, për faktin e thjeshtë që në 1 korrik është i lirë”. Paparegas komenton edhe mundësinë që Kukësi ta çojë çështjen në FIFA: “Nuk do të ishte diçka e këndshme nëse çështja do të përfundonte në FIFA apo KAS. Së pari, do të dilte i humbur Kukësi dhe do të rrezikonte shumë, edhe pjesëmarrjen në kupat e Europës. Gjithashtu, edhe Federata Shqiptare do të ishte në telashe.

Nga ana tjetër, Alla do të bllokohej deri në fund të procesit dhe jo vetëm në aspektin personal do të ishte një dëm i madh, por edhe për kombëtaren, meqë ai është pjesë e saj”. Duke iu kthyer kontratës së Kukësit, duhet sqaruar edhe diçka: “Alla, sipas kontratës, ka njoftuar klubin 3 muaj përpara se do të largohet, për të mos kaluar në rinovim automatik të kontratës. Gjithashtu, një muaj përpara fundit të sezonit ka dorëzuar kërkesën për të mos qenë pjesë e skuadrës në kupat e Europës”.

Kontrata e Allës dhe klauzola e “krimit”

Kukësi, ashtu si gjithë klubet shqiptare, prej vitesh aplikon një kontratë tip të shpërndarë nga FSHF, por me disa shtojca e klauzola që herë janë normale e herë jo. Natyrisht, për faktin që janë konfidenciale, nuk mund t’i publikojmë të gjitha, por në rastin e Allës, rast që vlen për shumë futbollistë, ekziston klauzola e detyrimit për të luajtur në kupat e Europës, që përbën një shkelje për rregulloren e FIFA-s. Natyrisht, dikush mund të thotë: Alla e firmosi, të mbajë përgjegjësi! Ndoshta do të mbajë, por nga ana tjetër edhe klubet shqiptare nuk janë në rregull.

Sipas kontratave tip të FIFA-s, kontrata e një futbollisti përfundon në mbylljen e sezonit të fundit të shënuar në kontratë. Sipas FIFA-s, nuk është e mundur që të aplikohet një kontratë për një sezon, duke i shtuar si klauzolë edhe 1 apo disa muaj në sezonin pasardhës. Sezoni i ri në Shqipëri, ashtu si në gjithë Europën Perëndimore, nis më 1 korrik, që do të thotë se klauzola që detyron futbollistët tanë të luajnë në korrik është një shkelje e pastër. Pse pranojnë futbollistët? Ca nga injoranca e ca nga halli, sepse nuk e kanë luksin të kundërshtojnë. Çfarë problemi u krijohet? Mjafton të kujtohet rasti Liridon Latifi verën e shkuar: luajti në korrik për Kukësin, më pas u kthye te Skënderbeu dhe në janar kishte oferta nga jashtë, por kishte plotësuar numrin e dy transferimeve në një sezon dhe e vetmja mundësi që të lëvizte ishte që të shkonte në kampionate me sistemin pranverë-dimër, si Kazakistani e ndonjë tjetër, apo të shkonte në Azi a Amerikë.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *