Memelli te Laçi, sa humbet Akademia e Tiranës?

Nga Tirana te Laçi. Një rrugë që më parë Migen Memelli e kishte përshkuar si futbollist, e tashmë e vazhdon edhe si trajner. Përfshirja në stafin teknik të kurbinasve është një eksperiencë e re për ish-bomberin, që në kryeqytet spikati për punën me talentët bardheblu.

Në më pak se tre vite, ku ka punuar me ekipin e 17-vjeçarëve, por edhe me skuadrën B të Tiranës, Memelli i dhuroi 24-herë kampionëve lojtarë të rinj dhe me perspektivë. Duke nisur nga Albi Doka (Tirana B), Ernest Muçi (U17), Andri Stafa(U17) apo Rei Qilimi (Tirana B).

Lista vazhdon me emra si Kristi Joti, që ka luajtur me Kukësin dhe tashmë është pjesë e Tomorit, Albi Koldashi, edhe ky i larguar nga kryeqytetasit për të vazhduar karrierën me Kukësin, Kamzën dhe Besën, Jurgen Vrapin i cili tashmë është pjesë e Dinamos apo Patrik Bardhin e transferuar te Kastrioti.

Këta janë disa nga lojtarët e trajnuar nga Migen Memelli, me stërvitje individuale dhe të personalizuar, të cilët nga Akademia e Tiranës kanë arritur të bëhen pjesë e ekipit të parë, apo e vazhduan karrierën në nivele të larta. Ish-sulmuesi, së bashku me trajnerët e tjerë të Akademisë, krijonte një prej hallkave, që funksiononte më mirë te bardheblutë: ekipet e moshave. Tashmë ky zinxhir është prishur. Duket ende shpejt, për të thënë sa do të ndikojë largimi i tij në punën te Akademia e Tiranës dhe rritjen e talentëve të rinj.

Ajo që kuptohet lehtë është se presidenti i Laçit, Pashk Laska, e ka shfrytëzuar mundësinë e krijuar, duke e afruar në stafin teknik të ekipit. Një trajner si Memelli i shkon për shtat filozofisë së ekipit bardhezi, që në vitet e fundit e ka përqendruar punën te evidentimi dhe rritja e të lojtarëve të rinj. Shitja e Uzunit te Lokomotiva e zagrebit ka hapur horizonte të reja, dhe në Laç po punojnë që ky të jetë vetëm fillimi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *