Laçi është skuadra e Superiores që ka bindur më tepër deri tani në ndeshjet e Europës. Të vetmen humbje që kurbinasit kanë marrë ishte ajo kundër Podgoricës në transfertë. Tërësisht e pamerituar dhe ku Mazrekaj gaboi nga penalltia në minutat e fundit për të barazuar rezultatin. Megjithatë në përballjen e kthimit kurbinasit e treguan lehtë se kush ishte skuadra më e mirë.
Për të vazhduar me mrekullinë që tronditi futbollin rumun teksa ekipi i Duros mundi Craiovan, një ekip me buxhet shumë herë më të lartë sesa Laçi. Por kjo aventurë e Laçit në Europë është i destinuar për të shkuar në “rrugën e ferrit”. Supozohej se në këtë kompeticion duhej të ishin rivalë më të thjeshtë për kurbinasit, por nuk rezulton e tillë.
Nga Craiova te Anderlehti i drejtuar nga Kompany dhe që është toka e premtuar për talentet në Belgjikë. Sigurisht që diferencat janë të mëdha në letër. E sikur të mos mjaftonin gjigandët belg, Laçi do të tërhiqte edhe rivalin më të vështirë që ndodhej në short, Vitesse.
E njohur ndryshe edhe si “auto shkolla” e Chelsea-t për shkakun e lidhjes së ngushtë që kanë këto dy klube, ku ekipi holandez rrit talentet e londinezëve, me rastin Armando Broja që ishte i fundit, skuadra nga “Eredivisie” ishte sërish me koeficientin më të lartë të vështirësisë që mund të ndodhej në short për Laçin.
Fillimisht Vitesse duhet të kalojë Dundalk për të mbërritur në fazën “Play Off” të Conference League. Vlera totale e holandezëve shkon në 40 milionë euro sipas Transfermarkt, ndërsa Laçi e sheh veten si të ishte duke luajtur në “Champions League”. Craiova, Anderleht, Vitesse…çfarë mund të kishte më shumë se kaq? /Sport Ekspres/